E Diel, 1 Nëntor 2026

OSBE dhe KE: Opozita duhet të kthehet në Parlament

Bosch

Ambasadori Robert Bosch pas takimit me zëvendëskryeministrin Ilir Meta tha se "kishim një takim shumë pozitiv dhe unë shpreha edhe një herë vullnetin e OSBE-së për të mbështetur Shqipërinë në integrimin e saj në strukturat euroatlantike". Ne, vijoi ai, po kështu jemi gati për të mbështetur Shqipërinë në rast se kërkohet për të ndihmuar qeverinë, si dhe opozitën, brenda Parlamentit, për të zbatuar realisht rekomandimet e raportit të ODIHR-it. "Për ta bërë këtë, opozita është realisht e nevojshme dhe sigurisht kjo bëhet vetëm në Parlament. Kështu, ne mirëpresim bashkëpunimin dhe ne shpresojmë dhe besojmë se do të jetë po aq i mirë sa edhe me paraardhësin e z.Meta. Ne shpresojmë se ju do t‘i afroheni Europës sa më shpejt të jetë e mundur", insistoi Bosch. Ambasadori ju përgjigj edhe interesimit të medias për faktin se opozita kërkon rinumërimin e votave në zgjedhjet e fundit në Shqipëri dhe nëse kjo është një kërkesë ligjore nga ana e saj. "Së pari, nuk jam këtu si jurist ose si përfaqësues i Gjykatës Kushtetuese, por me sa e gjykoj unë, të gjitha mjetet ligjore janë përdorur dhe rezultatet e 1 gushtit janë në rregull", tha Bosch.

Lohan

Në të njëjtën ditë me Bosch reagoi edhe kreu i prezencës së Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan. Përfaqësuesi zyrtar i Brukselit në vendin tonë nuk e ka ndryshuar qëndrimin, duke treguar qartë se politika e vërtetë bëhet brenda institucioneve. Ambasadori i Komisionit Europian në vendin tonë, 62-vjeçari Helmut Lohan, gjatë konferencës së Durrësit që mbylli realizimin e një projekti 2-vjeçar në fushën e investigimit dhe luftës kundër pastrimit të parave dhe krimit financiar në Shqipëri, rikonfirmoi qëndrimin e delegacionit që përfaqëson kundrejt bojkotit të Parlamentit nga opozita shqiptare. Në një prononcim për mediat, në fund të sesionit të hapur, Lohan duke iu përgjigjur interesit të tyre shprehu bindjen se qëndrimet dhe debatet politike duhet të bëhen brenda institucioneve, në Parlament dhe jo jashtë tyre. Ai nuk e mbështeti vendimin e opozitës për të qëndruar jashtë dyerve të Parlamentit dhe nuk pranoi të komentojë nëse duhen pranuar kërkesat e saj që më pas opozita të bëhet pjesë e legjislativit.

Meta

Nga ana e tij, zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, çmoi rolin dhe kontributin e rëndësishëm të Pranisë së OSBE-së në zhvillimet demokratike dhe në forcimin e institucioneve të Shqipërisë. Në këtë kuadër, z. Meta ripërsëriti gatishmërinë e qeverisë së Shqipërisë për të vazhduar bashkëpunimin me praninë e OSBE-së, në përputhje me prioritetet dhe nevojat e vendit, si dhe realitetin e ri ndërkombëtar të Shqipërisë, në vijim të anëtarësimit në NATO dhe aplikimit për t‘u anëtarësuar në BE. Duke u ndalur tek e ardhmja e Pranisë së OSBE-së në Shqipëri, z. Meta nënvizoi nevojën për një bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Punëve të Jashtme, me qëllim hartimin e një strategjie të përbashkët për të vlerësuar efikasitetin e veprimtarive të pranisë dhe për t‘i fokusuar më mirë ato. Në fund të bisedës, z. Meta ripërsëriti angazhimin e qeverisë së Shqipërisë për të zbatuar të gjitha rekomandimet e raportit të ODIHR-it, për arritjen e standardeve më të larta zgjedhore. "Me këtë rast, unë e sigurova edhe një herë ambasadorin Bosch për vullnetin e qeverisë, të shprehur edhe nga Kryeministri Berisha, duke bashkëpunuar ngushtë me OSBE-ODIHR-in, në mënyrë të veçantë me opozitën në Shqipëri dhe me të gjithë faktorët e tjerë", theksoi Meta.

D.M/V.Q

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›