Rama: Bonusi për pensionistët do të shpërndahet në pranverë

TIRANË, 18 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama siguroi sot pensionistët se bonusi i premtuar do të shpërndahet në pranverë, siç edhe është bërë e ditur.
Në rubrikën “Sy m’sy”, një komunikim i drejtpërdrejtë i kryeministrit me qytetarët në rrjetet sociale, Rama tha se fondi tashmë është i depozituar në Bankën e Shqipërisë.
“Nuk kamë thënë kurrë që bonusi i pensionistëve jepet në shkurt. Kam thënë do të kemi një bonus pranvere dhe unë mendoj se nuk ka nevojë të ta them unë që pranvera nuk ka ardhur asnjëherë në shkurt. Bonusi do të jepet në pranverë, fondi është i depozituar në Bankën e Shqipërisë dhe do të lëvrohet në pranverë”, theksoi Rama.
Se kur fillon pranvera, vijoi Rama, pyet se ta thonë.
“Pastaj nuk kuptoj ku lidhet bonusi me “spiunin, armikun e tradhtarin”. Sikur të gjithë këta të ishin si unë, atëherë shqiptarët do të kishin shpëtuar një herë e mirë nga armiku, tradhëtia dhe spiunimi”, iu përgjigj ai qytetarit, i cili e quante “armik, spiun dhe tradhtar”, u shpreh ai.
/r.e/a.f/