E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Votimi nga jashtë, Balla: KQZ të japë më shumë shpjegime për procesin e regjistrimit

TIRANË, 18 shkurt /ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla u shpreh sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të bëjë më shumë publicitet dhe më shumë shpjegim të procesit për ata bashkatdhetarë që nuk e kanë kuptuar procesin e regjistrimit dhe që iu është refuzuar aplikimi për t’u regjistruar.

Në rubrikën “Sy m’sy” në bashkëbisedimin me qytetarët në platformat sociale, kryeministri Edi Rama pyeti Ballën nëse “KQZ-ja po bën publicitet për regjistrimin, sepse kam përshtypjen se ka akoma njerëz që nuk e dinë”.

Balla u shpreh se, “ajo që unë do t’i kërkoja KQZ-së është që duke patur parasysh numrin e madh të aplikimeve të cilat janë refuzuar për shkaqe që natyrshëm qëndrojnë në bazë të parashikimeve që ka ligji, do të duhet që të bëjë më shumë publicitet dhe më shumë shpjegim të procesit madje dhe me personat, të cilëve iu është refuzuar do të duhet që të ketë një asistencë ndaj tyre, sepse e vërteta është që bashkatdhetari ka shprehur interes”.

“Pra, ai është munduar ta bëjë këtë detyrë ndaj atdheut, por nuk ka arritur dot për shkaqe se nuk e ka kuptuar mirë, ose le të themi, ka nevojë për një lloj shpjegimi më të detajuar”, theksoi Balla.

Rama u shpreh se “domethënë, kjo e djeshmja funksionon që e para, të gjitha shpenzimet e votimit me postë i merr qeveria që do të thotë, zarfi shkon i pahapur dhe e dyta, deri në 4 mars të gjithë duhet të regjistrohen në platformën e KQZ, se në 4 mars mbyllet regjistrimi”.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›