Rama: Brenda 2024 mbyllim punimet për Aeroportin e Vlorës. Hapim akademinë ndërkombëtare për kontrollorët

Punimet për Aeroportin ndërkombëtar të Vlorës pritet të mbyllen brenda vitit të ardhshëm. Kështu deklaroi nga Vlora kryeministri Edi Rama, i pranishëm në Asamblenë e Zgjeruar të Partisë Socialiste, teksa theksoi se ky objektiv do të mbahet nëse punimet vijojnë me të njëjtin ritëm. Kreu i qeverisë bëri me dije se ky aeroport do të do të operohet nga aeroporti ndërkombëtar i Mynihut
“Është një punë shumë mbresëlënëse e bërë deri tani dhe nëse gjithçka shkon sipas parashikimit dhe nëse ky ritëm i punimeve mbahet si deri tani, ne do të kemi punimet të përfunduara brenda vitit të ardhshëm dhe menjëherë do të jemi të gatshëm të hymë në fazën e certifikimit për të filluar testimet dhe për të nisur nga fluturimet në aeroportin ndërkombëtar të Vlorës. Do të jetë një aeroport që do të operohet nga aeroporti ndërkombëtar i Mynihut”, tha Rama.
Po ashtu, kryeministri u shpreh se në Shqipëri do të krijohet edhe një sektor i ri i aviacionit civil për mirëmbajtjen e avionëve. Po në Vlorë, siç bëri me dije Rama do të hapet edhe akademia për kontrollorët ajror.
“Tani kemi edhe dy mundësi të reja shumë të mira që do të jenë një vlerë e shtuar. Kompania është në prag të firmosje së një marrëveshje me një nga kompanitë më të mëdha ndërkombëtare për mirëmbajtjen e avionëve dhe në këtë mënyrë do të kemi mundësinë të krijojmë një sektor krejt të ri të aviacionit civil këtu në Shqipëri edhe për mirëmbajtjen ne avionëve. Duke qenë se Shqipëria prej thuajse një viti është në vendin e parë në klasifikimin e Aviacionit Civil Europiuan për rritjen e numrit të pasagjerëve, agjencia Evropiane ICAO ka vendosur që në Shqipëri të hapet edhe akademia për kontrollorët ajror që është një tjetër sektor i ri që krijohet këtu në Shqipëri, por kjo do të jetë një akademi ndërkombëtare dhe vendimi ynë është që këtë akademi ta hapim këtu në Vlorë pranë Aeroportit të Vlorës”, theksoi kryeministri.
/rtsh.al/