Rama: “Bufi” kërkon votën që t’u rrijë akoma shqiptarëve në qafë

TIRANË, 17 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, në një takim me gratë e vajzat e qarkut Dibër, kujtoi se shqiptarët nuk kanë asnjë sekondë për të humbur me “bufin e kënetës”.
“Del bufi i kënetës tani, se ju Qafën e Bufit e latë pas, vini drejt e në Tiranë. Kështu duhet ta lënë edhe demokratët qafën e tyre të bufit. Ta lënë në anë bufin, mos të bëhen qafa që mban bufin mbi kokë. Del bufi dhe thotë do të shkrij SPAK në 12 maj. Pse? Sepse ka hallin e vet. Shqipëria Madhështore është vetëm një gjë. Meqë dy herë shqiptarët e hëngrën edhe ia dhanë bufit, herën e parë i shkatërroi, ua thau komplet xhepin dhe i bëri të vriten rrugëve dhe të marrin rrugët. Sa njerëz ikën nga sytë këmbët kur bufi shkatërroi Shqipërinë”, tha Rama.
Ndërkohë, sipas tij herën e dytë që PD mori pushtetin e çoi vendin në greminë me borxhe.
“Tani bufi do që shqiptarët të bëhen bashkë që prapë t’ia japin votën bufit që bufi të mundet të rrijë akoma në qafë, jo vetëm të demokratëve por edhe të shqiptarëve. Nuk kanë shqiptarët asnjë sekondë për të humbur me këto histori”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se shqiptarët kanë vetëm një për të bërë, të shtyjnë para që ne të bëhemi anëtarë të BE-së.
“Pasaporta europiane nuk është dokument udhëtimi. Pasaporta europiane është stad i ri qytetarie për të gjithë shqiptarët. Me atë pasaportën e re shqiptarët për herë të parë në histori bëhen me ligj e zakon qytetarë të barabartë në të njëjtën shtëpi, që është shtëpia e BE -së. Kjo nuk është retorikë, por ajo që ndodh nëse nuk ngatërrohemi me këmbët tona”, tha Rama. /j.p/