E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama inspektim në Peshkopi: Rritje e numrit të turistëve dhe vlerës së pronës

TIRANË, 17 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste inspektoi u ndal sot në Peshkopi, ku pa nga afër investimet që janë kryer për veshjen e fasadave të pallateve me sistem kapot për ulje të konsumit të energjisë.

Kryeministri vlerësoi se investimet në qarkun e Dibrës kanë përmirësuar ndjeshëm jetesën e banorëve dhe krijuar premisa pozitive për rritjen e ekonomisë vendore.

“Në Bulevardin kryesor të qytetit, që bashkë me 30 pallatet e riveshura me sistemin kapot për ulje të konsumit të energjisë, i japin hijeshi të madhe qytetit të rilindur e i shtohen zinxhirit të gjatë të veprave që janë realizuar për komunitetin e qarkut Dibër, duke përmirësuar ndjeshëm jetesën e banorëve dhe krijuar premisa pozitive për rritjen e ekonomisë vendore”, u shpreh Rama.

Në një takim me banorët e zonës, Rama u shpreh se me të gjitha këto investime Peshkopia është bërë një qytet shumë i lezetshëm, ndërsa theksoi se vlera e pronës këto do të rritet shumë brenda 5 viteve dhe do të bëhet si Tirana.

“Është bërë si lagje e Tiranës, është kryevepër. 5 vjet kohë ka këtu për të blerë dhe për të shitur, nuk ka më. Kush ka 5 lekë në Dibër dhe është nga Dibra duhet të investojë në pronë këtu. Në 5 vjet këtu çmimet do jenë si në Tiranë. Të gjitha çmimet e apartamenteve do jenë si në Tiranë, ndërsa përgjatë luginës do jenë si në bregdet, për 5 vjet”, tha Rama.

Duke iu përgjigjur edhe shqetësimit të kryetarit të bashkisë, Rahim Spahiu lidhur me parkimet, Rama u shpreh se bashkia duhet të gjejë vendin dhe të jetë gati kur të bëhet plani për parkimet.

“Programin e parkimeve nëntokësore e kemi në gjithë Shqipërinë, por ne do merremi me disa pika strategjike të përgjithshme. Kryetarët e bashkive duhet të jenë gati, të gjejnë vendin, të thonë hajde ulemi, kaq fonde do vëri bashkia. Se bashkia do jetë me fitim, do marri fitim nga parkimet. Do të bëhet plani, programi dhe me Fondin e Zhvillimit dhe qeveria patjetër do të financojë”, tha Rama.

Duke folur për Rrugën e Arbrit, Rama shprehu bindjen se Peshkopia do të bëhet Thethi i Shqipërisë, për sa i përket numrit të vizitorëve.

“Më zinte dhimbja e kokës një ditë para se të vija këtu. Kush e bën atë rrugë, nuk mbaronte, ec e ec dhe kur të vinte shpirti me dalë dilte Burreli, pastaj vazhdoje”, tha Rama.

Ndërsa drejtuesi politik i PS-së në qarkun e Dibrës, Blendi Klosi theksoi se në planet e bashkisë dhe këtu mund të investojë edhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit, është gjithë zona e llixhave.

“Një nga zonat më kurative në Shqipëri dhe gjithë rajonin. Mund të krijojë një pol shumë të rëndësishëm për gjithë qarkun, por për Dibrën pa dyshim sjell dhjetëra mijë turistë në vit”, tha Klosi. /j.p/

1 nga 9

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›