SHBA – Trump nënshkruan urdhrin për uljen e çmimeve të barnave

UASHINGTON, 17 prill /ATSH/- Presidenti amerikan, Donald Trump lëshoi të martën një urdhër ekzekutiv – që synon uljen e çmimeve të barnave dhe të kostove për “Medicare” – njerëzit e moshës 65 vjeç e lart dhe ata me aftësi të kufizuara, sipas CNN.
Vendimi vjen pasi administrata e tij kërkon të vendosë tarifa ndaj importeve farmaceutike – që shumë ekspertë kanë thënë se mund të çojnë në mungesa të barnave dhe rritje të çmimeve.
Urdhri gjithashtu i bën thirrje sekretarit amerikan të Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore Robert F. Kennedy Jr. – që të eksplorojë mënyra për të barazuar pagesat e “Medicare” për administratat e barnave si trajtimet e kancerit – pavarësisht se ku trajtohen pacientët.
Disa nga dispozitat ringjallin disa nga qëllimet e mandatit të parë të Trump – duke përfshirë lejimin e shteteve për të importuar më lehtë barna nga Kanadaja – dhe duke kërkuar që qendrat shëndetësore të kualifikuara federale – të cilat ofrojnë shërbime të kujdesit parësor – t’u bëjnë zbritje pacientëve që marrin në insulinë dhe EpiPen.
Administrata e Biden e hodhi poshtë rregullin e fundit, duke përmendur kostot dhe barrën e tepërt administrative që do të kishte vendosur ndaj qendrave.
Ndërsa ulja e çmimeve të barnave nuk ishte një premtim kryesor i fushatës së tij më të fundit presidenciale – Trump lëshoi urdhra dhe direktiva të shumta ekzekutive që synojnë të ulin kostot – gjatë mandatit të tij të parë.
Megjithatë, ato nuk rezultuan në barna më të përballueshme.
Urdhri ekzekutiv i Trump urdhëron Kennedy të propozojë dhe të kërkojë udhëzime për përmirësimin e transparencës së programit – duke i dhënë përparësi zgjedhjes së medikamenteve me kosto të lartë dhe minimizimin e ndikimeve të dëmshme në inovacionin e barnave.
Kennedy është urdhëruar gjithashtu të punojë me Kongresin për të kompensuar periudhat kohore kur lloje të ndryshme të barnave të bëhen të pranueshme për negocim.
Mosbalancimi, ofron stimuj për kompanitë e barnave që të investojnë në barna me molekula të mëdha, të njohura si biologjike – të cilat nuk janë subjekt i negociatave për 13 vjet pas miratimit të Administratës së Ushqimit dhe Barnave (FDA).
Në të kundërt, barnat me molekula të vogla, të cilat përgjithësisht janë më të lira dhe trajtojnë më shumë njerëz, bëhen të pranueshme pas nëntë vjetësh. //a.i/