E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Çmim nga Ministria e Arsimit dhe udhëtim studimor për fituesit e olimpiadave

TIRANË, 11 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama njoftoi se fituesit e olimpiadave kombëtare dhe ndërkombëtare do të përfitojnë një çmim nga Ministria e Arsimit, ndërsa për ta do të organizohen edhe udhëtime kulturore dhe studimore jashtë vendit.

Gjatë takimit me nxënësit fitues të olimpiadave, Rama tha se Ministria e Arsimit do të vendosë një çmim të posaçëm për të gjithë nxënësit që kanë fituar në olimpiadat kombëtare ose ndërkombëtare.

“Ne do të duhet të vendosim edhe një çmim të Ministrisë së Arsimit për të gjithë fituesit e olimpiadave kombëtare ose ndërkombëtare”, u shpreh Rama.

Ai bëri të ditur gjithashtu se nxënësit do të kenë mundësi, nëse dëshirojnë, të zhvillojnë një udhëtim jashtë vendit, me shpenzimet e Ministrisë së Arsimit.

Sipas Ramës, udhëtimi do të zhvillohet gjatë një fundjave dhe do të ketë karakter kulturor e arsimor, ndërsa qyteti ku do të zhvillohet vizita do të përcaktohet nga ministrja e Arsimit në bashkëpunim me mësuesit.

“Ministrja e Arsimit do të kujdeset që të gjithë ju, natyrisht me dëshirë, kush nuk dëshiron mund të thotë jo, do të kujdeset që me shpenzimet e Ministrisë së Arsimit ju të gjithë së bashku të shkoni në udhëtim jashtë për një fundjavë, për të bërë një vizitë kulturore, arsimore në një qytet që do ta vendosë ministrja bashkë me mësuesit tuaj”, tha Rama.

/gj.m/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›