Siguria kibernetike pjesë e kurrikulës, nxënësit do të mësojnë si të mbrohen online

TIRANË, 11 shtator/ATSH/ Siguria kibernetike do të jetë pjesë e kurrikulës shkollore për nxënësit e klasave të para, të gjashta dhe të dhjeta, duke u dhënë fëmijëve njohuri për mënyrën e sigurt të përdorimit të internetit që në bankat e para të shkollës.
Nxënësit do të kenë mundësi ta zgjedhin sigurinë kibernetike si lëndë duke filluar nga ky vit shkollor, me fokus te ndërgjegjësimi dhe mbrojtja në hapësirën digjitale.
Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Bledar Kazia tha për mediet se “nuk bëhet fjalë për nivel teknik, por sesi fëmijët, mësuesit, prindërit të kenë qasje në hapësirën digjitale, informacionet që ndajnë online, dallimi i një përmbajtjeje reale nga një jo reale duke marrë shkas nga përdorimi i inteligjencës artificiale, me kë duhet autoritet duhet të kontaktojnë kur bien pre e bullizimit”.
Specialistët e Autoritetit për Sigurinë Kibernetike do të trajnojnë mësuesit, në përputhje me moshën dhe nivelin e nxënësve, për t’i pajisur ata me njohuritë e nevojshme për të përcjellë te fëmijët parimet bazë të sigurisë në internet.
“Nga java tjetër do të fillojë faza e trajnimit për mësuesit, në mënyrë që ne, ekspertët e Autoritetit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike, t’i trajnojmë se si duhet ta kenë qasjen në momentet kur një fëmijë ankohet ose paraqet përpara tyre një rast abuzimi në hapësirën digjitale, të çfarëdolloji qoftë ai. Pas dy javësh, në 24 shtator, kemi parashikuar një trajnim për qëllime ndërgjegjësimi vetëm për prindërit. Trajnimi do të jetë i hapur, do të publikojmë linkun e regjistrimit për çdo prind të interesuar për t’u trajnuar”, theksoi Kazia.
Sipas tij, synimi është që siguria në internet të mos mbetet vetëm pjesë e fushatave ndërgjegjësuese, por të kthehet në një aftësi të qëndrueshme te nxënësit.
“Vetëm pranë Autoritetit për Sigurinë Kibernetike vitin e shkuar u paraqitën 240 denoncime”, theksoi Kazia.
Në vijim synohet shtrirja e moduleve edhe në klasa të tjera me qëllim përdorimin e teknologjisë në mënyrë të sigurt dhe jo largimin e fëmijëve prej saj.
/k.s/a.f/