Pisa 2025, Kumbaro – opozitës: Kapen me detaje për të ulur meritat e nxënësve shqiptarë

TIRANË, 11 shtator /ATSH/ Në ambientet e Kryeministrisë u zhvillua sot ceremonia e shpërndarjes së certifikatave për 88 olimpiadistë, fitues të olimpiadave kombëtare dhe ndërkombëtare.
Në aktivitet, ku mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, vlerësoi olimpiadistët për suksesin e arritur, teksa duke iu përgjigjur kritikëve për rezultatet e PISA-s, Kumbaro u shpreh se disa prej tyre kapen pas detajeve teknike, me synimin për të ulur meritat e nxënësve shqiptarë.
“U ndjeva jashtëzakonisht krenare që Shqipëria u rrit ndjeshëm në të tria fushat e vlerësimit dhe, krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria ishte e para në pikët e akumuluara në matematikë, e para me Malin e Zi në shkencë dhe e treta në lexim.
Ju jeni prova më e mirë se sa punë bëhet nga ju, nga familjet tuaja, mësuesit që ju udhëheqin dhe ekipi i sektorit publik e privat të arsimit, që kemi synim të përbashkët të kemi nxënës me aftësi, që të jenë jo ata vegël e teknologjisë, por teknologjia të jetë në dorën e tyre për të zhvilluar mendimin kritik.
Dua të shuaj edhe disa zëra që nuk e di pse nuk gëzohen për fëmijët e Shqipërisë që dalin të parët, por kapen në detaje teknike, të cilat përpiqen t’i përdorin për t’u ulur meritat tuaja. Merita është juaja, e shkollës shqiptare, e gjithë mësuesve që ju rrinë mbi kokë”, tha Kumbaro.
Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike, Lili Sula, nga selia blu reagoi lidhur me rezultatet e Shqipërisë në testimin PISA 2025, duke theksuar se të dhënat janë shënuar me asterisk nga OECD dhe se vendi është përfshirë në kategorinë “raportim i kufizuar”.
Sula deklaroi se kjo lidhet me mënyrën e përzgjedhjes së kampionit që nuk ka përmbushur standardet e PISA-s.
“Me fjalë të thjeshta: jo të gjithë nxënësit shqiptarë u përfaqësuan siç duhet në testimin e PISA”, tha Sula.
/a.f/