Rama: Dizenjojmë si duhet reformën e dytë të pensioneve

TIRANË, 5 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës ndërkombëtare për reformën në sistemin e pensioneve në Shqipëri, mbajtur sot në Tiranë, solli në vëmendje disa pika të udhërrëfyesit të Bankës Botërore për reformën e pensioneve.
“BB nuk i ka bërë të gjitha mirë, por është një burim i jashtëzakonshëm dijeje dhe eksperience edhe për atë që nuk ka bërë mirë, pasi vlen për eksperiencën dhe dijen se si ndonjëherë nuk duhet bërë,” shtoi Rama.
Kryeministri tha se në këtë udhërrëfyes për pensionet ka disa urdhëresa që nuk duhen harruar.
“Urdhëresa e parë është: Mos rregullo një skemë që nuk funksionon, por provo diçka të re dhe anasjelltas, mos provo diçka të re kur një skemë funksionon. Urdhëresa e dytë është të zgjedhësh mes dhimbjes afatshkurtër dhe dhimbjes afatgjatë, se reformë pa dhimbje nuk ka, dhe ne, Shqipëria, nëse kemi përjetuar një dhimbje afatgjatë, kjo ka ardhur si rezultat i faktit që të gjithë ata para nesh kanë dashur të bëjnë reformë pa dhimbje,” shtoi Rama.
Ndërkohë, Rama tha se nuk duhet të bëhen krahasime me vendet e rajonit, pasi ajo që ka ndodhur në Shqipëri nuk ka ndodhur me asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Në fillim të viteve ’90 qeveria me një vendim nxori në pension të gjithë ata që dolën të papunë nga ndalimi i prodhimit industrial të komunizmit. Pra, krijoi një kategori të panjohur pensionistësh të moshës 40-45 vjeç. Ajo kategori e panjohur pensionistësh e moshës 40-45 vjeç, pavarësisht punëve të tjera që mund të kenë bërë në sektorin privat, rezulton sot e gjithë ditës në skemën e pensioneve. Kjo nuk ka ndodhur në asnjë vend të rajonit, kështu që çdo krahasim me rajonin është një sipërfaqe nëse nuk shohim ‘psenë’,” tha Rama.
Urdhëresa e tretë e BB-së, sipas Ramës, është që reformimi i skemës së pensioneve është maratonë, nuk është sprint.
“Të gjitha sprintet na kanë çuar në situatën e vitit 2014, kur FMN, Banka Botërore dhe të gjithë ata që na shikonin nga distanca thoshin: Rrisni çmimin e energjisë, ulni më shumë pensionet, që ishte e paimagjinueshme, përndryshe na priste kolapsi i plotë nga të katër anët,” tha Rama.
Por, kryeministri tha se Shqipëria që nga 1 shkurti, është vendi i vetëm në vitet e fundit në këtë rajon që ka ulur me 10,5% çmimin e energjisë. “Gjithçka vjen si rezultat i gjithë punës së madhe të bërë dhe zotimit të marrë për të ulur ngarkesën mbi konsumatorët familjarë,” shtoi ai.
Duke iu referuar reformës së pensioneve, Rama u shpreh besimplotë që do të arrihet të adresohet kjo problematikë duke rritur ekonominë.
“Do të rrisim më shumë përfshirjen e pensionistëve në shpërndarjen e fryteve të rritjes dhe kapacitetet e fondit të sigurimeve shoqërore. Rekomandimet e kësaj konference do të shërbejnë për të dizenjuar si duhet reformën e dytë të pensioneve,” tha Rama.
/a.f/r.e/