E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

KQZ – votuesve nga Italia dhe Greqia: Verifikimi i adresës ka rëndësi për një aplikim të suksesshëm në PER

TIRANË, 5 shkurt /ATSH/ Procesi i regjistrimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit në Platformën Elektronike të Regjistrimit (PER) për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen në 11 maj po vijon dhe deri sot, në orën 10:40, janë 92 116 kërkesa të miratuara.

Por, gjithashtu ka një numër të lartë kërkesash që janë refuzuar, ku deri në këtë orë janë 52 898 kërkesa të refuzuara. Sipas KQZ këtu përfshihen edhe rastet kur një zgjedhësi aplikimi i është refuzuar më shumë se një herë.

KQZ u ka bërë thirrje aplikuesve nga Italia dhe nga Greqia, shtete që kanë numrin më të lartë të kërkesave për regjistrim në PER, që të mos gabojnë tek aplikimi, duke nënvizuar se “verifikimi i adresës ka shumë rëndësi për një aplikim të suksesshëm në PER”.

“Shikoni me kujdes ngarkimin e duhur të një prej dokumenteve më të përdorshëm për verifikimin e adresës të votuesve jashtë vendit. Në dy fotot e para keni shembujt e duhur nga Italia dhe në dy fotot e dyta keni shembujt e duhur nga Greqia,” shkruan KQZ, teksa e ka publikuar edhe foto ku gabojnë më së shumti aplikuesit.

Hapat që duhen ndjekur për regjistrim: 
1. Duhet të bëni gati letërnjoftimin, ose pasaportën tuaj të lëshuar nga shteti shqiptar. Sipas rastit, njërin prej këtyre dokumenteve do të duhet ta ngarkoni në PER.

2. Duhet të bëni gati një dokument i cili përmban adresën që ju do të deklaroni gjatë procesit të regjistrimit në PER. Adresa që ju do të deklaroni në PER duhet të jetë e njëjtë me atë që përmban ky dokument. Dokumenti duhet të jetë në emrin tuaj. Ky dokument duhet të ngarkohet në rubrikën përkatëse në PER. Kujdes! Nëse dokumenti i adresës përmban disa faqe, apo anë, sigurohuni që të ngarkoni faqen, apo anën e dokumentit e cila përmban adresën dhe emrin tuaj.

3. Letërnjoftimi apo pasaporta shqiptare nuk mund të shërbejë si dokument provues i adresës të vendqendrimit tuaj në shtetin përkatës!

4. Nëse dokumenti i adresës nuk është në emrin tuaj, por është në emër të një familjari tuaj, atëherë ju mund ta ngarkoni këtë dokument, por bashkë me të duhet të ngarkoni edhe certifikatën familjare, ose një dokument tjetër që tregon që ju banoni në të njëjtën adresë me atë të personit në emër të të cilit është dokumenti i adresës.

5. Nëse regjistrimin do ta kryeni nëpërmjet aplikacionit KQZ nga telefoni juaj smart, sigurohuni që ky aplikacion të aksesojë kamerën e telefonit.

6. Të keni një numër celulari ose adresë e-mail të vlefshëm. Nuk ka rëndësi se i kujt shteti është numri i celularit.

Në rastin kur në PER ngarkoni një adresë e-mail dhe nuk merrni përgjigje nga KQZ, kontrolloni në “Spam”, ose “Junk”.

Për më shumë, përpara se të filloni regjistrimin në PER, konsultoni rubrikën NDIHMË, të cilën e gjeni sapo hyni në PER, sipër në krahun e djathtë të faqes së parë të PER.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›