Rama: Do heqim të gjitha tarifat doganore me Kosovën, përveç skanimit! Shpresojmë që vendimi të jetë bilateral

Shumë shpejt për të gjitha produktet që vijnë nga Kosova drejt Shqipërisë nuk do të kenë më tarifa doganor. Përjashtim do të bëjë vetëm skanimi në doganë, ku sipas kryeministrit Rama kjo është proces i trashëguar nga e kaluara dhe nuk hiqet dot.
Gjatë një inspektimi në fabrikën e prodhimit të miellit dhe grurit në Xërxë të Kosovës, Rama tha se Shqipëria nuk mund të heq tarifat doganore me Ballkanin e Hapur dhe jo me Kosovën. Ai tha se kjo do të ndodh shumë shpejt, ndërsa shprehu dëshirën që kjo nisëm të jetë bilaterale edhe nga Kosova, e cila ka kërkuar më shumë kohë për një vendim të tillë.
“Të mos mbetemi vetëm në kuadrin e takimit zyrtar politik, por edhe me atë që janë motori që lëviz shoqërinë dhe jetën ekonomike. Faleminderit për pritjen. Bashkë me ministren po flisnim për rritjen e bashkëpunimin dhe shkrirjen e pengesave të kufirit. Ne kemi bërë dhe një plan e do ta vëmë në lëvizje që të heqim të gjithë tarifat doganore me Kosovën. Do i heqim plotësisht. Dëshirën e kemi të jetë bilaterale dhe me qeverinë e Kosovës por ne do ta bëjmë. Ata kanë kërkuar më shumë kohë për ta analizuar, por ne do e heqim. Nuk ka kuptim t’i heqim me Ballkanin e Hapur dhe jo me Kosovën. Do i heqim të gjitha që do vijnë nga Kosova, përjashto vetëm skanimit se nuk kemi çfarë ti bëjmë se është e trashëguar, ndërsa e gjithë pjesa tjetër nuk do të ketë më tarifa”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Kosovë, ku më 20 qershor do të mbahet edhe mbledhja e përbashkët e 8-të mes dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës që do mbahet në Prishtinë. Gjatë mbledhjes priten të firmosen disa marrëveshje ndërqeveritare.
/rtsh.al/