Rama: Open Balkan s’është instrument për Serbinë! Marrëveshja për Portin e Durrësit u shty nga Kosova

Kryeministri Edi Rama, nga Kosova, ka treguar se Ballkani i Hapur është një nisëm në dobi të të gjithë rajonit dhe jo një instrument që i shërben vetëm Serbisë. Duke iu përgjigjur kritikëve të “Open Balkan” ku Kosova nuk preferon të bëhet pjesë për shkak të mosmarrëveshjeve me Serbinë, Rama thekson edhe një herë se kjo nisëm i shërben ekonomisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor ku secili do të marrtë atë që i takon pasi krijon hapësira për të gjithë operatorët ekonomik në rajon.
“Është shumë për të qeshur dhe për të qarë kur Ballkanin e Hapur, e trajtojnë si një instrument që do marri Serbia tregun. Por, po të shikosh volumin tregtar të Serbisë, rritjen më të madhe e ka këtu. Pra, nuk është çështja se Ballkani i Hapur do bëjë ndonjë gjë tjetër përveç se do krijojë hapësirë shumë më të madhe për të gjithë. Do të zgjerojë shumë me tepër frymëmarrjen e ekonomike për të gjithë, dhe secili do të marri pjesën e vet të asaj që i takon. Ti nuk mund të nisesh si e si të pengosh tjetrin, pavarësisht se për vete mund të vuash shumë më tepër. Ti duhet të nisesh si e si të fitosh për vendin tënd, pastaj të tjerët të fitojnë pjesën e tyre” tha Rama.
Kryeministra zbuloi gjithashtu se në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, Shqipërisë dhe Kosovës, u shty firmosja e marrëveshjes për portin e Durrësit që do i jepte mundësi Kosovës të kishte akses në tregtinë portuale të operatorëve ekonomikë pa ndalesa. Rama tha se kjo marrëveshje u shty nga qeveria e Kosovës, por shpreson që kjo të bëhet një orë e më parë.
“Ka shumë kompani që përdorin në mënyrë intensive portin e Durrësit. Ne duam të kemi një marrëveshje me qeverinë e Kosovës siç e kemi në Ballkanin e Hapur për të pasur korridoret e gjelbra të operatorëve ekonomikë të autorizuar, të cilët kalojnë pa asnjë ndalesë. Edhe për këtë na duhet të kemi një marrëveshje. Për këtë duhej të firmosej nesër dhe nuk e di për çfarë arsye u shty nga ana e qeverisë së Kosovës. Pavarësisht kësaj duhet ta bëjmë një orë e më parë këtë gjë. Kemi sjellë me vete projektin e ri të portit të Durrësit që është konceptuar si port i përbashkët që ose duhet të jetë rajonal me rëndësi të dorës së parë ose ne humbasim një potencial të madh siç e kemi humbur për dekada të tëra”, tha Rama.
Më 20 qershor, Kosova dhe Shqipëria do të mbajnë mbledhjen e 8-të të përbashkët qeveritare, ku pritet firmosja e disa marrëveshjeve.
/rtsh.al/