Rama: Do transformojmë sistemin e shëndetësisë

Edi Rama
Partia Socialiste do të ketë një plan të detajuar për të gjitha fushat dhe sidomos për sistemin e shëndetësisë. Ky ishte zotimi i kreut të opozitës, Edi Rama, bërë gjatë një takimi në Vlorë. Duke u ndalur tek shëndetësia, kreu i PS-së u shpreh se do të themelohet shërbimin kombëtar shëndetësor, një strukturë e re që do të bëj të mundur transformimin e sistemit shëndetësor.
Lideri socialist duke nënvizuar se sot sistemi shëndetësor është i degraduar, shtoi se duke e transformuar tërësisht sistemin shëndetësor, njerëzit do të shërbehen denjësisht.
Por nga ana tjetër ai u shpreh i vetëdijshëm që situata nuk mund të ndryshohet rrënjësisht brenda katër viteve. Jam i bindur që katër vjet të një mandati qeverisës janë të pamjaftueshëm për të transformuar rrënjësisht nga pikëpamja e funksionimit në çdo pjesë të vetën shërbimit shëndetësor shqiptar. Por jam i bindur njëkohësisht që katër vjet janë plotësisht të mjaftueshëm për të parë frytet e para të këtij transformimi. Është e sigurt që kështu nuk vazhdohet më, përfundoi kreu i PS-së. /F.S/