Rama: Dorëheqja nuk imponohet përmes dhunës, detyra ime të mbroj vendin nga çdo përpjekje për ta kthyer pas

TIRANË, 25 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se kushdo ka të drejtë të kërkojë largimin e tij dhe të protestojë kundër qeverisë, por dorëheqja nuk mund t’i imponohet përmes dhunës.
Gjatë prezantimit të paketës së re ligjore kundër dhunës urbane, Rama theksoi se kjo paketë nuk ka asnjë shpikje “alla shqiptarçe”.
“Nuk ka asnjë pikë apo nen të saj që bie ndesh me lirinë e me të drejtat e qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. Përkundrazi, kjo paketë ka në frymën e në gërmën e saj një të vërtetë shumë të thjeshtë: Liria e secilit mbaron aty ku fillon liria e të tjerëve dhe të drejtat e gjithkujt, ndalen aty ku cenohen të drejtat e të tjerëve”, shtoi ai.
Ndaj, Rama tha se “kush nuk e do qeverinë apo do largimin e tij nga detyra është në lirinë e të drejtën e tij që ta mendojë, ta thotë, ta propagandojë e ta kthejë në protestë këtë kërkesë të tij”.
“Deri këtu është detyra ime dhe e qeverisë që të garantojmë se protesta e kujtdo që do një qeveri tjetër dhe një kryeministër tjetër të zhvillohet pa asnjë trysni”, shtoi ai.
Kryeministri theksoi po ashtu se është i gatshëm të ulet e të dëgjoj këdo që do t’i shprehë kundërshtitë e tij ballë për ballë, dhe që i parashtron kërkesat që mendon se qeveria duhet të marrë parasysh.
“Sepse unë besoj se kush kërkon dorëheqjen time, gabon duke menduar se mund të imponohet me dhunë apo me çfarëdo forme tjetër, por nuk mendoj se ka gabim çdo gjë që thotë e që kërkon”, tha Rama.
Por përtej këtij kufiri, Rama theksoi se ka detyrë të mbrojë vendin dhe njerëzit nga çdo përpjekje për ta kthyer Shqipërinë mbrapa, ndërsa shteti ka për detyrë t’i tregojë vendin çdokujt që ngre dorën kundër pronës publike e private, që kërcënon rendin dhe sigurinë publike.
“Kjo është përgjigja jonë ligjore e institucionale ndaj dhunës e anarkisë urbane të ushqyer këto ditë nga gjithëfarë duarsh të mbrapshta dhe të ushtruar nga një turmë dhunuesish, të cilët tanimë mund ta shohë tërë Shqipëria se kush i sjell në qendër të Tiranës, duke i nxitur, paguar, orkestruar jo për një Shqipëri më të mirë, po për ta kthyer përsëri mbrapsht Shqipërinë, nga rruga e amanetit historik dhe kur, tamam kur jemi më pranë se kurrë pikëmbërritjes dhe kur flamuri i Skënderbeut e Ismail Qemalit është ngjitur më lart se asnjëherë”, u shpreh ai.
Por, Rama siguroi se këtë herë nuk do t’ia dalin, sepse ai që thyen, djeg, shkatërron qendrën e Tiranës e përmes ekraneve të korruptuara terrorizon Shqipërinë, nuk është populli shqiptar, nuk është as shumica e as pakica e popullit të Shqipërisë, kjo e fundit mund të jetë kundër qeverisë po s’është kurrë pro dhunës e shkatërrimit.
“Për shumicën që më ka dhënë mandatin të udhëheq Shqipërinë, e për pakicën që nuk më ka votuar, por që njësoj si shumica pret më shumë drejtësi në rishpërndarjen e të ardhurave nga rritja e ekonomisë, do të flas në ditët e para të javës me risitë pozitive të projekt-buxhetit 2027, sapo ta kalojmë në qeveri, që të jetë e qartë për të gjithë se nuk do të jenë thjesht fjalë apo zotime, po vendime konkrete ato që do të ndaj me ju”, shtoi Kryeministri.
Rama bëri thirrje për durim dhe kurajo, ndërsa u shpreh se “jo të gjithë e duan suksesin, paqen dhe sigurinë e Shqipërisë”.
“Është përpjekja e tyre e fundit, përpara se sa ne të vulosim faqen e fundit të historisë së anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Zhurmën e kanë të madhe, shanset i kanë zero. Mos e harroni asnjëherë, më keni votuar ose jo, unë nuk e kam tradhtuar misionin për të cilin më ka dhënë besën shumica e Shqipërisë dhe e shqiptarëve dhe nuk do ta tradhtoj kurrë besimin e asnjë shqiptari që e do Shqipërinë më të mirë e që e do flamurin e Ismail Qemalit dhe të Skënderbeut në rradhë me flamujt e tjerë të shteteve të Bashkimit Europian”, iu drejtua Rama shqiptarëve. /j.p/