Ndryshimet në Kodin Penal, Rama: Ndëshkohet nxitja për dhunë, dëmtimi i pronës dhe kanosja online

TIRANË, 25 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama informoi sot mbi ndryshimet në Kodin Penal që ndëshkojnë dhunën, nxitjen e saj, kanosjen dhe përndjekjen si fizikisht në ambiente publike ashtu edhe nëpërmjet rrjeteve sociale.
Rama theksoi se ndryshimet në Kodin Penal ndjekin praktikat më të mira të vendeve të BE-së, si Franca dhe Italia dhe mbështeten në jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Këto dispozita, sipas tij, e përjashtojnë shprehimisht nga ndëshkimi protestën paqësore, kritikën politike, satirën dhe gazetarinë.
Lidhur me dhunën gjatë tubimeve, Rama bëri të ditur se “qëndrimi mes dhunës pas paralajmërimeve, ndëshkohet penalisht vetëm për atë që vazhdon të qëndrojë në tubim pas paralajmërimeve të policisë, duke ditur që po ushtrohet dhunë ose po dëmtohet prona”.
Po ashtu, sipas tij, ndëshkohet edhe organizimi i tubimit të ndaluar me vendim të ligjshëm.
“Kush kapet me armë ose sende të tjera të rrezikshme dënohet deri në 2 vjet burg. Mbajtja e maskës për të dhunuar. Fshehja e fytyrës ndëshkohet penalisht vetëm kur në tubim ka dhunë ose rrezik konkret dhune, me gjobë ose deri në 6 muaj burg. Nuk ndëshkohet kush e mbulon fytyrën për arsye shëndetësore, fetare ose profesionale, dhe as kush e zbulon sapo dëgjon urdhrin e policisë”, tha Rama.
Shkatërrimi i pronës gjatë tubimeve, po ashtu, dënohet më rëndë se sa aktualisht dhe deri në dyfish kur prek shkolla, institucione, shërbime publike ose monumente kulture.
Rama theksoi se dhuna me fytyrë të fshehur ka një dënim për goditjen e policëve dhe të qytetarëve që rritet deri në një të tretën kur autori është i maskuar.
“Nxitja për dhunë, edhe në rrjetet sociale është një vepër e re penale. Ndëshkohet kush thërret publikisht, edhe në rrjetet sociale, për dhunë, plaçkitje ose shkatërrim gjatë një tubimi, kur thirrja krijon rrezik real dhe të afërt. Dënim më i rëndë kur thirrja u drejtohet fëmijëve, ose kur pas saj ndodh dhuna”, theksoi ai.
Nga ana tjetër, Rama sqaroi se thirrja për protestë, kritika politike dhe gazetaria nuk ndëshkohen kurrësesi.
Ndërhyrjet në Kodin Penal, po ashtu parashikojnë edhe mbrojtjen e çdo qytetari nga kanosja dhe përndjekja, edhe online.
“Kanosja online ose publike dënohet si një vepër më e gjerë. Sot Kodi Penal e dënon kanosjen online vetëm kur ka motive etnike, racore ose fetare. Përndjekja online dhe ‘e drejta për normalitet’ çojnë në krijimin e veprës për mesazhe kërcënuese të vazhdueshme dhe monitorimin e vendndodhjes së dikujt, si dhe ndjekja ose filmimi përndjekës i një personi pranë shtëpisë, në punë ose në jetën e përditshme, kur e detyrojnë atë të ndryshojë mënyrën e jetesës. Publikimi i adresës për ta vënë dikë në rrezik ndëshkohet gjithashtu. Kush publikon të dhëna që nxisin ose lejojnë gjetjen e një personi ose të familjes së tij për ta ekspozuar ndaj sulmeve bëhet subjekt i ligjit”, shtoi Rama.
Po ashtu, Kryeministri theksoi se videot e falsifikuara me inteligjencë artificiale dhe shpërndarja e tyre pa pëlqim me foto ose zë të falsifikuar të një personi, kur mashtrojnë publikun dhe i shkaktojnë dëm personit bëhet vepër penale.
“Satira dhe parodia e shënuar si e tillë nuk ndëshkohen”, shtoi ai.
Ndërhyrjet në Kod parashikojnë po ashtu edhe mbrojtjen e deputetëve, funksionarëve e personave publikë.
“Kanosja ndaj funksionarëve dhe familjeve të tyre. Kanosja ndaj personave publik dhe familjeve të tyre, janë vepra penale. Ata mbrohen nga kanosja edhe online, duke përcaktuar një dënim më të ashpër. Shantazhi dhe presioni për të ndikuar në vendime, çon në ndëshkimin e kush kanos, dhunon ose shantazhon personalisht një deputet për ta detyruar të votojë në një mënyrë apo një funksionar publik për të marrë ose për të mos marrë një vendim apo një person publik për të bërë apo më bërë diçka”, tha Rama.
Ndërkohë kryeministri theksoi se kritika, protesta dhe peticionet nuk hyjnë këtu dhe nuk ndëshkohen.
Lidhur me mbrojtjen e fëmijës, Rama tha se Kodi Penal parashikon se “për rrezikimin e fëmijës nga pakujdesia, përgjigjet prindi, kujdestari, mësuesi ose edukatorja që e lë fëmijën nën 14 vjeç pa mbikëqyrje në rrezik real për jetën ose shëndetin”.
Dënimi, sipas tij, shkallëzohet sipas pasojës, deri në 10 vjet kur fëmija humb jetën, larg qoftë. Gjykata mund ta zbusë dënimin kur prindi ka humbur vetë fëmijën. /j.p/