E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Drejt finishit po shfaqet flaka e pasionit për Shqipërinë 2030 në BE, ndërsa këneta rrudhet e rrudhet

TIRANË, 8 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se pasaporta evropiane për shqiptarët dhe integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian vjen nga PS sepse Partia Socialiste është fuqia transformuese e vendit

Kryeministri e bëri këtë deklaratë gjatë rubrikës “Sy m’sy”, ku i përgjigjet pyetjeve të qytetarëve të adresuara në platformat sociale.

Një tjetër komentues, shkroi se pushteti nuk është i përjetshëm dhe 12 vite në pushtet janë shumë.

Rama tha në përgjigjen e tij se Shqipëria nuk është e tij, por e të gjithëve dhe se largimin e tij nga pushteti e vendos populli shqiptar.

“Nëse të kanë thënë që kjo është një anomali, Gjermania dy kancelarë që kanë qëndruar me katër mandate në periudhën e fundit të historisë së Gjermanisë, si Angela Merkel dhe përpara saj ishte për dy mandate Gerhard Schröder dhe përpara tij katër mandate Helmut Kohl. Nëse nuk të mjafton kjo, po të çoj në Holandë, miku im i ngushtë Mark Rutte, ose andej lart nga Suedia ku kanë qëndruar për shumë më tepër, por nuk dua të të tremb pastaj. Kjo nuk është çështje sa do ti e sa dua unë, kjo është çështje sa do populli”, pohoi ai.

Kryeministri nënvizoi faktin se “ajo që është ndezur ditë pas dite, në këto ditë drejt finishit do të shfaqet fuqishëm flaka e pasionit për Shqipërinë 2030 në BE dhe zjarri socialist progresist qytetar po ndriçon, ndërkohë që këneta rrudhet e rrudhet”.

“Më çoi Niko dje një pamje të kënetës në Korçë dhe u jam mirënjohës korçarëve që e kishin braktisur kënetën. Ata nuk duhet ta harrojnë atë që i bëri këneta në pallatin e Sportit. Pashë kënetën në Durrës, është e vetmja kënetë që ka mbetur, se ajo tjetra që na trashëguan quhet Durrësi i ri që po transformohet ditë për ditë”, pohoi Rama.

Ndërkohë, Rama tha se sot ka një ditë të jashtëzakonshme Vlorë dhe Durrës, e së shpejti në Kuç.

“Në Kuçin e historisë dhe ku është tryeza më kompetente e debatit politik dhe ku janë analistët më të mëdhenj së bashku me ata të Dibrës dhe pastaj në qytetet e tjera. Analistët nuk janë në Tiranë, mos ta them atë fjalën që ka krijuar kaq shumë polemika”, tha Rama. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›