Rama: Fitorja e 11 majit e padiskutuar, por na duhet fuqi më e madhe për Shqipërinë në BE

TIRANË, 8 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste në rubrikën “Sy m’sy” iu përgjigj sot komenteve të qytetarëve të adresuara në platformat sociale.
Duke iu përgjigjur komentit të një qytetari në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Rama tha se “nuk është çështja e fitoj a nuk fitoj unë, kjo nuk është fare personale, nuk është për karrigen time, kjo është çështja për të fituar Shqipëria. Shqipëria fiton vetëm me mua, PS-në, siç e kemi treguar në gjithë këto vite kur kemi trefishuar të ardhurat për frymë, jemi vendi me taksën 0 për biznesin e vogël, kemi bërë rritjen më të madhe të pagave. Kemi ndërtuar 53 spitale të reja. Kemi ndërtuar 400 qendra shëndetësore 450 shkolla”.
Një komentues i tha kreut të qeverisë së “rrugët janë copë-copë”.
Rama iu përgjigj se nëse rrugët në vend do të ishin copë-copë si shpjegohet se Giro d’Italia bën nisjen e madhe nga Shqipëria.
“Rrugët janë copë, rrugët janë copë, por si shpjegohet se Giro d’Italia e bën nisjen e madhe nga Shqipëria, erdhën ata italianët çuan një grup për të kontrolluar gjithë gjërat që u duheshin dhe si shpjegohet që jo vetëm që nuk i gjetën rrugët copë, por u impresionuan nga infrastruktura në Shqipëri. Apo janë patronazhista nga Italia që do të vijnë këtu të thyejnë qafën në rrugët copë-copë”, tha Rama.
Duke iu përgjigjur një komentuesi, Rama u ndal edhe tek procesi integrimit të vendit në BE, ku theksoi se “fëmijëve tanë do t’u japim pasaportën evropiane të Shqipërisë”.
I pyetur nëse do të fitojë zgjedhjet, Rama tha se “që do të fitojmë nuk ka diskutim”, por çështja është shtoi Rama “çfarë fuqie do na japë populli shqiptarë në përfaqësimin e Shqipërisë”.
“Prandaj nëse ne fitojmë aq sa kemi sot ose më pak sa kemi sot, 71, 72, 73, 74 mandate, ne faktikisht kemi fituar zgjedhjet, por nuk kemi marrë një fuqi më të madhe, çdo gjë mbi këtë është fuqi e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ne jemi duke kërkuar mbështetjen për Shqipërinë në BE”, tha Rama.
Rama ironizoi edhe opozitën.
“Kush do të fitojë, bufi do të fitojë, një politikan i lashtë, një gjetje arkeologjike që vjen vërdallë në teatrin e Butrintit sikur është gjallë, i pashpresë, i dëshpëruar, që rri dhe nuk shkon në shtëpi për hallin e tij ai do të fitojë? Si do të fitojë?”, tha Rama. /j.p/