Rama: Drejtësia ka shpatën por i mungon peshorja, kjo nuk është Gjykata e Europës

TIRANË, 26 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Zonja e Drejtësisë“ është në këmbë, pasi mazhoranca e drejtuar prej tij i dorëzoi shpatën, por theksoi Rama drejtësisë sot i mungon peshorja dhe i ka sytë me gjak.
Në mbledhjen e grupit Parlamentar të PS-së, në Kryesinë e Kuvendit, Rama u shpreh se imazhi i “Zonjës së Drejtësisë“ po të skulpturohej para Reformës në Drejtësi, do të ishte e shtrirë dhe bufi i kënetës me zhabiqe, zhaba, bretkosa, insekte, vemje, krimba do të ishin mbi të, duke i ngrënë rropullitë.
Rama solli foton e simbolit ndërkombëtar të Drejtësisë.
“Kjo është Zonja e Drejtësisë. Kështu e kanë konceptuar shumë e shumë kohë më parë, ata që kanë vënë themelet e civilizimit tonë. Ne jetojmë në një civilizim, që falë romakëve, bazohet tek një postulat që nuk ka Afrim, nuk ka Largim, nuk ka keqkuptim që e hedh poshtë: barra e provës i takon akuzuesit jo të akuzuarit. Dhe shekull pas shekulli, deri kur erdhi dita që u ngrit Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, drejtësia është kuptuar kështu në civilizimin tonë. Shpatë për të ndëshkuar, peshore për të gjykuar dhe dhe sytë e lidhur për të qëndruar tërësisht e verbër, qoftë në anën ku janë prokurorët, qoftë në anën nga janë të akuzuarit”, deklaroi Rama.
Rama tha se pa Reformën në Drejtësi, ky imazh i drejtësisë do të ishte këtu e shtrirë dhe bufi i kënetës me zhabiqe, zhaba, bretkosa, insekte, vemje, krimba mbi të, duke i ngrënë rropullitë. “Kështu do të ishte skulptura para Reformës në Drejtësi“, tha Rama.
Kryeministri vuri në dukje se mazhoranca e drejtuar prej tij i dorëzoi shpatën e drejtësisë, drejtësisë, pasi e përdori këtë shpatë që nga 1912.
“Këtë zonjën në këmbë e ngriti Partia Socialiste e Shqipërisë, kjo shumicë qeverisëse, vizioni, vendosmëria dhe vullneti ynë në këmbë dhe këtë shpatën ja dorëzoi ky pushtet, pushteti ekzekutiv dhe parlamentar i shumicës, pasi e përdori këtë shpatë që nga 1912. Ja dorëzoi dhe zonja sot, është në këmbë ka edhe shpatën. I mungon peshorja dhe i ka sytë jo të mbyllur por i ka sytë me gjak”, deklaroi ai.
Dhe pikërisht, vijoi Rama, pse i ka sytë me gjak, kemi arritur të shikojmë arsyetime gjykatësish që thonë me shkrim, gjykatës speciale: “populli kërkon një dënim më të madh”, për x dhe y, sepse populli ka mosbesim.
Ky, sipas tij, është fundi, duke siguruar se nuk do të lejohej vendosja e gjykatës së Putinit.
“Kjo është gjykata e Vladimir Vladimiroviç Putinit. Kjo nuk është Gjykata e Europës. I keni pari si përfundojnë pas atyre xhamave të korruptuarit në Rusi. Epo ajo lloj drejtësie kurrë këtu. E kemi parë atë film, vetëm se atëherë nuk i thonin: i korruptuar, por armiku u klasës”, deklaroi Rama. /j.p/