Rama: Prokurorët e SPAK të luftojnë korrupsionin, mos të merren me deklarata dhe statistika

TIRANË, 26 shkurt /ATSH/ Kryeministri, njëherësh Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot në dëgjesën e Grupit Parlamentar me rektorin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku se, prokurorët e SPAK duhet të luftojnë korrupsionin dhe të mos merren me deklaratat e tij apo me statistika.
“Kam një sugjerim për prokurorët e SPAK-ut. Në vend se të merren me deklaratat e mia dhe sa herë që unë bëj deklarata të bëjnë njoftime për shtyp, të bëjnë punën e tyre. E kanë të gjithë mbështetjen tonë. T’i dëgjojnë këto që unë them dhe që ne themi si kritika dhe si shqetësime konstruktive. Për ne, për mua dhe për PS-në, SPAK-u, Gjykata Speciale rrojnë 1 mijë vjet, nuk i vjen e keqja dhe nuk i vjen shqetësim nga ne dhe të mos i ndjekin mediat sikur janë parti politike. Dhe të ndërpresin marrëdhëniet me gazetarët specialë. Nuk kam asgjë me gazetarët. Gazetarët janë në të drejtën e tyre bravo i qoftë. Por të ndërpresin marrëdhëniet me gazetarët specialë. Të mos furnizojnë miletin me sekrete hetimore. Të mos bëhen redaksi. Mos hidhen sikur janë redaksi gazetash, portalesh, kanalesh dhe të bëjnë punën e tyre”, tha Rama.
“Sa herë, kurdoherë, kudoqoftë, që do të kapin korrupsion, atë shpatën ta hapin krahun me të gjithë forcën. Por korrupsion ama”, theksoi kreu i qeverisë.
“Kemi ngritur një Prokurori Speciale për të luftuar krimin dhe korrupsionin. Nuk kemi ngritur një institucion që të bëjë dhe Gjykatën Administrative, që të bëjë dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit, që të bëjë dhe Inspektoratin e Lartë të Deklarimit të Pasurive, që të bëjë edhe gjykatësin, edhe prokurorin e kështu me radhë. Nuk e kemi ngritur për këtë e kemi ngritur si një armë shumë të fuqishme për të luftuar korrupsionin, brenda nesh, rreth nesh, mbrapa nesh, para nesh, lart, poshtë kudo që të jetë, por korrupsionin, me prova, me procese të rregullta, me respekt për liritë dhe të drejtat e njeriut dhe të mos kundërshtojnë sikur janë parti politike. Të mos hyjnë në debate shifrash. Ata kanë punën e tyre, mos merren me statistika, mos merren me shifra. Statistikat dhe shifrat dalin në fund”, theksoi Rama.
Kryeministri u shpreh se, “ajo që ata duhet të garantojnë është që fajtorët të shkojnë në burg dhe të pafajshmit të mos traumatizohen për gjithë jetën. Kjo është arsyeja pse unë po flas dhe ne po flasim. S’kemi asnjë arsye tjetër në botë”. /j.p/