Rama për punën e SPAK: Të garantojnë që fajtorët të shkojnë në burg, boll është hyrë në kufijtë e pushtetit ekzekutiv

TIRANË, 26 shkurt/ATSH/ “Kemi ngritur një prokurori speciale për të luftuar krimin dhe korrupsionin, nuk kemi ngritur një institucion që të bëjë dhe Gjykatën Administrative, që të bëjë dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit, Inspektoratin e Lartë të Deklarimit të Pasurive, që të bëjë edhe gjykatësin, dhe prokurorin”, deklaroi sot kryeministri dhe kreu i PS-së, Edi Rama.
Gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, Rama theksoi se “e kemi ngritur si një armë shumë të fuqishme për të luftuar korrupsionin brenda nesh, rreth nesh, mbrapa nesh, para nesh, lart-poshtë kudo që të jetë, por korrupsionin; me prova, me procese të rregullta, me respekt për liritë dhe të drejtat e njeriut dhe të mos kundërshtojnë sikur janë parti politike, të mos hyjnë në debate shifrash”.
“Ata kanë punën e tyre, mos merren me statistika, mos merren me shifra. Statistikat dhe shifrat dalin në fund. Ajo që ata duhet të garantojnë, është që fajtorët të shkojnë në burg dhe të pafajshmit të mos traumatizohen për gjithë jetën”, vijoi Rama.
Gjithashtu, Rama shtoi se ata janë një pushtet i pavarur, por edhe ky është pushtet i pavarur.
“Edhe pushteti ekzekutiv është pushtet i pavarur dhe boll është hyrë në kufijtë e pushtetit ekzekutiv, boll janë traumatizuar të gjithë punonjësit e administratës me thirrje, me ftesa, me presione e me paraburgime. Boll, duhet të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Duhet menduar për t’i dhënë shërbim konsulence të fuqishme ndërkombëtare për të gjitha aspektet e tjera që marrin përsipër të analizojnë dhe që nuk kanë kapacitete t’i analizojnë, pabarazia në tendera e ku e di unë se çfarë dhe pastaj të gjitha përfundojnë tek “shpërdorimi i detyrës” që është një thes i madh ku nuk e merr vesh i pari të dytin, “Hajde i fusim me shpërdorim detyre pastaj kismet””, u shpreh Kreu i Ekzekutivit.
Sipas tij, njerëzit nuk janë domate dhe kavie duke shtuar se “çdo njeri meriton deri në fund të respektohet dhe kjo është Partia Socialiste dhe nëse ka një forcë që duhet të mendojë seriozisht për respektin deri në fund për njeriun, është Partia Socialiste”.
“Të tjerëve u uroj sukses në zhytjen thellë e më thellë në kënetë dhe në 11 maj edhe për drejtësinë, edhe për forcimin e SPAK-ut dhe të Gjykatës Speciale, edhe për forcimin e standardeve, shqiptarët do të dinë se çfarë do të vendosin dhe pastaj edhe ato gjykatësit që mendojnë se janë populli që në fakt aty janë ligji e nuk janë populli, do e shikojnë dhe popullin se çfarë mendimi ka për këtë forcë politike dhe çfarë mendimi ka për betejat tona. Ne jemi të vërtetë dhe të drejtpërdrejtë siç kemi qenë 5 vjet kur kemi shtrënguar dhëmbët dhe nuk kemi folur kurrë sepse kemi dashur pavarësinë. Tani që pavarësia është e sprovuar, e testuar dhe nuk ka kush thotë gjë, le që të thonë çfarë të duan se nuk ka pikë rëndësie, tani ne duam profesionalizëm dhe duam integritet demokratik të çdo procesi dhe këto dëgjesat do të vazhdojnë për këdo që ka nevojë të vijë të shprehet përpara grupit parlamentar për sa kohë nuk është i akuzuar për korrupsion dhe për sa kohë nuk është nën hetim për korrupsion. Me persona nën hetim nuk merremi ne ama persona që thirren, intimidohen, goditen e bëhen janë këtu të ftuar të vijnë dhe të flasin”, vijoi kreu i PS-së.
Kryeministri Rama tha ndër të tjera se “ne jemi Partia e të gjithëve kështu që hakun të gjithëve, drejtësisë të gjithë mbështetjen në pavarësinë e vet, njerëzve të gjithë mbështetjen në liritë dhe të drejtat e tyre. Kjo është Partia Socialiste”.
/a.gj/ /a.g/