E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Duhet plan solidariteti

Nga mbledhja e Komisionit të Emergjencave në PS

Kreu socialist apelon për solidaritet shoqëror për të përballuar emergjencën në Veri.

Shqipëria digjet nën dëborë, Saliu krihet para TV

Kryesocialisti Rama shprehu dje gatishmërinë e partisë që drejton për të kontribuuar në emergjencën civile në veri dhe juglindje të vendit. Në një konferencë për shtyp, Rama, ashtu si një ditë më parë, akuzoi qeverinë se është e paorganizuar që të përballojë këtë situatë.
Këtë herë rënien e shtetit dhe pafuqinë totale të tij me dhjetëra mijëra familje po e provojnë në kurriz për shkak të mungesës së çdo ndihme ushqimore e logjistike në kushtet e izolimit nga dëbora. Nuk ka se si të ndodhë ndryshe kur shteti është gjunjëzuar si mos më keq për shkak të paralizës së strukturave të veta dhe kushteve të rënda financiare, u shpreh Rama gjatë konferencës së parë për shtyp për këtë vit. Duke kundërshtuar deklaratat e Kryeministrit Berisha bërë dy ditë më parë ndaj opozitës, Rama tha se nuk janë momente për të përfituar politikisht, por për të bashkëpunuar. U bënë dy javë që gjendja shkon duke u rënduar për shkak të dëborës dhe qeveria vetëm mbrëmë u kujtua të mblidhet për këtë situatë. Këto nuk janë orë për të përfituar politikisht, por as për të heshtur përballë paaftësisë, shthurjes, paralizës së shtetit, u shpreh kryesocialisti. Rama bëri apel për një plan solidariteti shoqëror gjithëpërfshirës. Një plan gjithëpërfshirës solidariteti shoqëror është i domosdoshëm. Një organizim transparent dhe një informim në kohë reale për operacionet e ndihmës është i domosdoshëm. Një bashkëpunim real me të gjitha strukturat e pushtetit vendor, pa dallime partiake, është i domosdoshëm. Të gjitha këto mungojnë, sepse qeveria nuk ka plan, nuk ka organizim, nuk ka sens bashkëpunimi. Nuk ka as struktura të mirëfillta mbështetëse për një emergjencë të këtyre përmasave. Ne jemi gati të kontribuojmë për këtë plan. Ne jemi gati po ashtu të bashkërendojmë forcat me strukturat shtetërore, u shpreh Rama. Por, pasdite, duke iu përgjigjur deklaratave të Kryeministrit përmes adresës së tij në Twitter, Rama e akuzoi Kryeministrin se nuk qëndron 24 orë në zonat problematike, por zhvillon mbledhje pa vlerë në Tiranë. Ky kryeministër po e turpëron përditë shoqërinë tonë me nivelin e ndërgjegjes, logjikës dhe politikës së tij qorre e shurdhe ndaj halleve të vendit! Cili kryeministër në botë, me vendin në këtë hall, nuk do të rrinte sot 24 orë në krye të operacioneve të emergjencës, po do merrej me mufka si Saliu sot? E paturpshme: Shqipëria digjet nën dëborë, Saliu krihet para TV duke molloisur për Azerbajxhanin paradite e për Zogun e Hoxhën paradarke, shkruan Rama në Twitter. Për kryesocialistin emergjenca civile mund të përballohet me angazhimin e të gjithë faktorëve, edhe atyre politikë, ndërsa paralajmëroi dhe një krizë të mundshme energjetike. Ska asnjë gjasë të zbutet kjo krizë pa një sforco të përbashkët të të gjithë shoqërisë, duke filluar nga çdo strukturë qendrore e vendore pa asnjë kufi politik, dhe duke përfshirë shoqërinë civile, median, publikun e gjerë. Mungon po njësoj një plan për të përballuar krizën energjetike, e cila po troket fort në derë dhe lajmet nga vendet fqinje që eksportojnë energji nuk janë të mira. CEZ-i po ashtu është në gjendje të vështirë dhe me sa duket, do të vazhdojë të shtojë ndërprerjet e energjisë. Rreziku i kolapsit energjetik nuk duhet konsideruar i pamundur. Përkundrazi, është prapa derës. Edhe për këtë ne jemi gati të japim kontributin tonë, u shpreh Rama nga selia rozë.

Rama mbledh komisionin e emergjencave
Kreu socialist, Edi Rama, thirri në një mbledhje të jashtëzakonshme komisionin e emergjencave në PS lidhur me situatën e rëndë në veri dhe juglindje të vendit. Pjesë e këtij komisioni janë deputetët e zonave veriore dhe juglindore, si dhe deputetë që kanë marrë pjesë direkt në situata emergjente gjatë qeverisjes socialiste. Ata diskutuan në lidhje me situatën kritike ku ndodhen zonat veriore të vendit. Komisioni do të hartojë një plan solidariteti, një pjesë të të cilit do ta prezantojë Rama sot gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar, ndërsa i plotë pritet të prezantohet ditën e enjte në seancën parlamentare.

Berisha: Përparësi absolute, pastrimi i çative nga bora

Kryeministri Berisha

Kryeministri Sali Berisha u bëri thirrje dje të gjithë banorëve të zonave të prekura nga bota të pastrojnë çatitë e shtëpive për të mos rrezikuar shembjen e tyre. Deklaratën, kreu i qeverisë e bëri në mbledhjen e përjavshme të Grupit Parlamentar, e cila nisi me një minutë heshtje për nëntë viktimat në Kosovë dhe Isa Qarrin nga Hasi, që humbi jetën dy ditë më parë. Dy janë problemet me rrezikshmërinë më të madhe. Problemi i parë me një rrezikshmëri jashtëzakonisht të lartë janë çatitë dhe pastrimi i dëborës në çati. Thirrja ime për të gjitha autoritetet vendore dhe kryepleqtë: Me përparësi absolute, të ndihmojnë familjet, të cilat e kanë të pamundur, për shkak të moshës, sëmundjes apo rrethanave të tjera, që të ndërmarrin pastrimin e çative të tyre, tjua pastrojnë çatitë. Nuk duhet  injoruar në asnjë rrethanë pesha e dëborës mbi çati, u shpreh kreu i qeverisë. Ai tha se për të gjitha zonat e prekura po disbursohen fondet për të hapur të gjitha akset. Po bëhet gjithçka për të mbajtur hapur akset kombëtare në të katër anët e vendit. Po bëhet gjithçka për të ofruar ndihma më elementare familjeve më të kërcënuara dhe më në nevojë, por fatkeqësitë natyrore kanë profilin e tyre, theksoi më tej Berisha. Lidhur me masat që po ndërmerren, Kryeministri tha se Ministria e Punës do të shpërndajë ndihmën ekonomike deri në mars, ndërsa Ministria e Shëndetësisë po shpërndan paketa sanitare në të gjitha qendrat shëndetësore të zonave me borë.

ARISTIR LUMEZI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›