Situata emergjente, mblidhet grupi i PS-së
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste është mbledhur sot për të diskutuar në lidhje me situatën emergjente në veri dhe verilindje të vendit. Në fjalën e tij kreu i PS-së Edi Rama theksoi se gjendja në këto zona është alarmante dhe mijëra banorë janë në vështirësi totale, qoftë për ndihma ushqimore, por në mënyrë të veçantë për urgjencat mjekësore.
Deputetet e zonave të bllokuara kanë raportuar për situatën më të fundit në zonat që mbulojnë, duke pranuar situatën alarmante. Në fjalën e tij deputeti i qarkut të Dibrës Qemal Minxhozi theksoi se 160 fshatra janë ende të izoluara nga dëbora. Sipas tij situata në këtë qark është shumë e vështirë si pasojë e mungesës së ushqimeve ndërsa ka shtuar se komunat janë gjetur të papërgatitura për këtë situatë.
Sipas Minxhozit ndihmat e ardhura për banorët e zonave të izoluara kanë qënë simbolike dhe të pamjaftueshme. “Ndihmat kanë qënë të pakta. Komunat janë munduar të minimizojnë situatën por ka qënë e vështirë pasi nuk kanë pasur edhe buxhete për emergjencën” ka theksuar Minxhozi.
Ndërsa deputeti i qarkut të Kukësit Asllan Dogjani ka theksuar se situata në këtë qark është shumë e vështirë dhe kjo jo vetëm nga dëbora por edhe nga mosndërhyrja e shtetit.
“Mosmarrja e masave në kohën e duhur nga ana e strukturave të shtetit ka bërë që 14 komuna të jenë të bllokuara. Janë të bllokuara akset që lidhin qendrën e qytetit me komunat. Kanë ardhur 300 pako për gjithë rrethin në Tropojë, por është e pamundur të bëhet shpërndarja nëpër komuna dhe banorët po kërkojnë ndihma sepse dhe në qytet është e pamundur për të mbijetuar”, u shpreh Dogjani.
Deputeti i Korçës, Alfred Dalipi tha se në këtë qark nuk ka pasur asnjë fluturim, pavarësisht se ka patur situatë emergjente në Panarit ku janë edhe disa nëna shtatzënë që presin të lindin. Ai ka theksuar se në zonat e izoluara të këtij qarku nuk është paraqitur asnjë mjet për hapjen e rrugëve ndërsa nuk ka ndihmë me medikamente.
Edhe deputeti i Malësisë së Madhe Paulin Stërkaj, theksoi se në këtë zonë nuk ka mbërritur asnjë ndihmë nga shteti. “Është e pamundur që fshatarët të kenë çdo mjet jetese për rezerva 6 mujore. Qeveria duhet të kishte marrë masa për rezerva. Deri më sot në Malësinë e Madhe nuk ka ardhur asnjë ndihmë për zonat me probleme”, theskoi më tej Stërkaj.