E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: E paimagjinueshme më parë që Shqipëria të bëhej vend mikpritës për samite ndërkombëtare

TIRANË, 5 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në samitin “Pakti i Qyteteve të Lira”, ku kryebashkiakë dhe përfaqësues nga metropolet më të mëdha ndanë eksperiencat dhe perspektivat mes tyre për zhvillimin e qëndrueshëm dhe forcimin e bashkëpunimit.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Rama u shpreh se “nuk ka qenë e imagjinueshme deri jo shumë vite më parë që ne të bëheshim një vend mikpritës i samiteve dhe konferencave ndërkombëtare”.

“Është kënaqësi që Tirana të ketë mundësi të mikpresë përfaqësues të këtyre qyteteve që deri dje ishin si muzeumet e kryeveprave të artit për piktorët e provincës,” u shpreh Rama.

Duke u nisur edhe nga eksperienca personale, Kryeministri vlerësoi se detyra e kryetarit të bashkisë është një detyrë shumë e posaçme.

“Unë vetë kam pasur privilegjin të mbuloj disa lloj detyrash të larta, por detyra e kryebashkiakut është e vetmja e cila të mbetet në lëkurë si eksperiencë, pasi është e vetmja ndër të gjitha detyrat publike ku kontakti dhe distanca me tjetrin është jashtëzakonisht e shkurtër dhe raporti me vendin ku banon është jashtëzakonisht fizik, gjë që nuk ndodh me asnjë detyrë tjetër, të paktën nga eksperienca ime,” tha Rama.

Ndërsa iu drejtua kryebashkiakëve të pranishëm në samit, Rama u shpreh se Barcelona mbetet për këdo klasa e hapur ku mund të marrësh mësime për qasjen ndaj hapësirës publike, zhvillimit urban, qasjen ndaj të bukurës në arkitekturë.

“Është pa diskutim privilegj i veçantë që t’i drejtohem nga ky institucion ku unë jam sot këtij samiti dhe nder i veçantë që të kemi këtu të pranishëm përfaqësues të shumë qyteteve. Ndërkohë, dua të përmend eksperiencën time të parë frymëzuese të drejtpërdrejtë, për çka më pas u bë pjesë e punës sime, eksperienca në Barcelonë, një destinacion e territor, ku sipas meje, çdokush që merr përsipër të drejtojë një qytet apo fshat duhet ta prekë dhe duhet ta shohë nga afër, sepse është një klasë e hapur për të marrë mësime për qasjen ndaj hapësirës publike, zhvillimit urban, qasjen ndaj të bukurës në arkitekturë,” tha Rama.

Po ashtu, Rama tha se nuk mund të linte pa përmendur edhe eksperiencën në Holandë dhe në Amsterdam e Roterdam.

“Në Amsterdam kemi pasur dëshirën e madhe të mësojnë mbi planifikimin urban dhe pastaj kemi marrë goxha eksperiencë. Sot, disa protagonistë të asaj kohe vazhdojnë të jenë prezentë në Tiranë dhe Shqipëri në punët e zhvillimit urban,” tha kryeministri.

Rama nënvizoi se të drejtosh dhe të punosh për një qytet ka edhe këtë mundësi dhe kënaqësi të veçantë, sepse të jepet rasti të shohësh e mësosh nga eksperienca e të tjerëve në mënyrë shumë direkte.

“Gjërat, në një mënyrë ose një tjetër, pavarësisht shkallës së vështirësisë, janë të njëjta. Sfidat janë të njëjta. Për të mos mbetur vetëm në Perëndim, dëshiroj të shpreh shumë respekt dhe shumë admirim për çfarë kanë bërë kryetarët e bashkisë në Varshavës. Varshava është një platformë për të parë dhe kuptuar se si mund të transformohet në një periudhë relativisht të shkurtër dhe të vihet në shërbim të jetës bashkëkohore një qytet,” shtoi Rama.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›