E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Ekonomia dhe sipërmarrja po rriten, por qytetarët kërkojnë edhe më shumë

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi se ekonomia shqiptare ka shënuar zhvillim të qëndrueshëm, por theksoi se në fazën aktuale të zhvillimit, shifrat pozitive nuk mjaftojnë për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve dhe sipërmarrjes.

Duke folur në eventin “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, Rama u shpreh se rritja ekonomike mesatare prej rreth 4% dhe shtimi i numrit të bizneseve janë tregues pozitivë, por sipas tij, këto rezultate shpesh shoqërohen me kërkesa edhe më të mëdha për progres.

“Sa më pozitive të jenë shifrat, aq më shumë i acarojnë njerëzit”, tha Rama, duke shtuar se shoqëria shqiptare ka hyrë në një fazë të re, ku kërkohet zhvillim më i shpejtë dhe më shumë mundësi.

Sipas kryeministrit, kjo nuk është shenjë e një shoqërie që nuk e kupton progresin, por e një shoqërie që kërkon më shumë rezultate dhe mundësi të reja.

“Gjithmonë e më pak njerëzve u intereson se ku kemi qenë dhe çfarë vështirësish kemi kaluar. Referimi te rruga e bërë shpesh i acaron, sepse suksesi i të tjerëve është një arsye për të kërkuar suksesin edhe për vete”, u shpreh Rama.

Ai vlerësoi se programi kombëtar i mbështetjes për bizneset e vogla dhe të mesme është një instrument i rëndësishëm për të adresuar pritshmëritë e sipërmarrësve dhe për të krijuar mundësi të reja zhvillimi.

“Ky program është shumë i rëndësishëm edhe në aspektin psikologjik për sipërmarrjen. Njerëzit meritojnë të kenë mundësi të reja për të kapërcyer veten dhe për të bërë sukses më shumë e më shpejt”, tha kryeministri.

Rama theksoi se marrëdhënia e besimit mes qytetarëve, institucioneve dhe vendit sot përcaktohet më shumë nga pritshmëritë sesa nga arritjet e realizuara.

Sipas tij, pritshmëritë duhet të adresohen përmes punës, përpjekjeve për rritje dhe mbështetjes së sipërmarrjes, të cilën e cilësoi si “motorin e padiskutueshëm të zhvillimit ekonomik të një vendi demokratik”.

/gj.m/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›