E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Erdhi si prift nga Greqia dhe iku si Anastasi i Shqipërisë

TIRANË, 30 janar/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot, në fjalën e përmortshme në shërbesën e përcjelljes për në jetën e amëshuar të Kryepeshkopit, Anastas Janullatos, se “Anastasi erdhi mes nesh 33 vite më parë si një prift nga Greqia dhe pas 33 vjetësh ndahet nga mesi ynë si Anastasi i Shqipërisë”.

“Sot më takon të kujtoj në nderin e tij diçka që shumë e kanë parë apo e kanë ndjerë dhe shumë të tjerë se kanë kuptuar apo nuk kanë dashur ta besojnë por që në fund të fundit ai vetë e dëshmoi në 33 vjet dhe e dëshmon edhe sot me trupin që la këtu në tokën e Shqipërisë”, u shpreh Kryeministri.

Rama u ndal te kërkesa e Kryepeshkopit Anastas që të varroset pikërisht në këtë katedrale të “Ngjalljes së Krishtit”, siç ai e quajti katedralen dhe siç ngjallje kishte edhe vetë kuptimin e emrit të tij.

“Kësisoj në këtë ditë të mbylljes së ciklit të një jete kushtuar ngjalljes duhet thënë pa farë dyshimi se në përmasën e vetme që atij i interesonte, atë të fesë, Anastasi erdhi mes nesh 33 vite më parë si një prift nga Greqia dhe pas 33 vjetësh ndahet nga mesi ynë si Anastasi i Shqipërisë”, u shpreh Rama.

Duhet pranuar, vijoi ai, se është vështirë, shumë vështirë të gjendet në kujtesën tonë historike dikush i çfarëdo kombësie tjetër të ketë qenë, që të jetë identifikuar me aq krenari dhe përkushtim, me fjalë dhe me vepra, me emrin e Shqipërisë sa Kryepeshkopi Anastas”.

“E di që ka plot shqiptarë që nuk pajtohen me këtë që thashë por durim. Dhe ata le të kundrojnë me reflektim të paqtë dhe natyrisht të çliruar nga paragjykimet apo nga dyshimet fqinjësore, vetëm disa nga veprat e tij, ku ashtu siç njihet pema e mirë nga frytet e saj lexohet pa asnjë ekuivok edhe identifikimi i tij me Shqipërinë tonë”, tha Rama.

“Sot dëgjohet në diptikët e shenjtë në të gjitha gjuhët liturgjike ortodokse emri i Kryepeshkopit të Shqipërisë, i renditur menjëherë pas selive patriarkale dhe dy kishave më të vjetra autoqefale asaj të Qipros dhe asaj të Greqisë. Kur e dëgjon këtë përgojim liturgjik është e pamundur të mos i jesh krejtësisht  mirënjohës njeriut që përcjellim sot. Aq më tepër po të mos e harrosh se pas shkrirjes në flakën e ferrit ateist, Kisha Ortodokse Autqefale e Shqipërisë ishte vetëm hija e një kujtimi. Ekzistenca e kësaj kishe me frymën që për 33 vite i dha bariu i saj, Anastasi i Shqipërisë është mirëfilli sot një aset konstruktiv i vetë pavarësisë, integritetit dhe sovranitetit të Republikës së Shqipërisë – një ‘Kishë e lirë, në një Shtet të lirë'”, tha Rama.

Rama kujtoi edhe fjalët e Kryepeshkopit Anastas, i cili është shprehur se pasuesi i tij do të jetë shqiptar.

“Sa prekëse është në koherencën stoike të jetës së tij baritore dhe gjithë aq shpartalluese për të gjithë paragjykuesit dhe dyshuesit e tij, prania e këtij trupi pa jetë të rilindësit të kishës Autoqefale të Shqipërisë, pohimi i tij botërisht përpara pak kohësh në një intervistë të dhënë për shtypin grek e cila tingëllon më shqip sesa shqipja e kujtdo që e ka paragjykuar e dyshuar vetëm e vetëm se ai ishte grek, kryepeshkopin e ortodoksëve shqiptarë i cili tha: pasuesi im do të jetë shqiptar. Unë kam që në vitin 1963 që udhëtoj nëpër botë. Kam mësuar ta respektoj tjetrin siç është, të mendoj për të drejtat e tij. Imagjinoni të kishim në Greqi një situatë të ngjashme. A do ta pranonim ta drejtonte kishën e Greqisë një bullgar apo një serb? Sigurisht që jo. E konsideroj të mirëqenë që pasuesi im të jetë shqiptar. Ne nuk shkuam në Shqipëri për të bërë një koloni. Ne shkuam për të bërë një kishë autoqefale të Shqipërisë. Ajo nuk është pjesë e kishës së Greqisë. Ajo është një ndër 14 kishat ortodokse autoqefale të botës”, – e mbyll shprehjen e tij lapidare kryepeshkopi ynë””, u shpreh Rama.

“Çfarë njeriu, çfarë bariu, çfarë pajtori e paqëtori, çfarë greku në kombësi e shqiptari në shtetësi! Dinjitetin e martirizuar te kësaj kishe dhe të kreut të saj, larë me djersën dhe gjakun e stërmundimeve të Kristofor Kisit e Damian Kokoneshit, Irene Banushit e sa e sa të tjerëve, Kryepeshkopi Anastas e rivendosi të plotë në altarin e saj, duke i dhënë mundësinë Kishës autoqefale të Shqipërisë, klerit dhe besnikëve të saj, ta marrin stafetën nga ky atlet fitimtar i Krishtit e ta çojnë përpara, në liri të plotë, pavarësi të pakthyeshme dhe siguri të garantuar”, vijoi ai.

Kryeministri nënvizoi se ka plot për të mësuar prej trashëgimisë së këtij njeriu, që refuzoi me urtësi të rrallë qindra, mbase mijëra ftesa për armiqësi, duel e polemikë, që i erdhën pa kursim nga të katër anët, deri ditën e fundit të jetës.

“Ai, që duke mos qenë vendas mund të ishte edhe më i legjitimuar të vinte kujën për diskriminim dhe për keqtrajtim, parapëlqeu të ndiqte udhërrëfyesin e Apostullit Pavël: “Megjithëse jam i lirë kundruall të gjithëve, u bëra shërbëtor i të gjithëve, që të tërhiqja pas fjalës së Zotit sa më shumë njerëz” (Letra 1 Korintasve IX, 19)”, shtoi ai.

Sot, vijoi ai, “komuniteti ortodoks, jo vetëm në Shqipëri, por kudo gjetkë, ka zi. Sot, Kisha ortodokse autoqefale e Shqipërisë, është në zi”.

“Humbët në këtë jetë kryepeshkopin e 33 viteve që përmes fjetjes në Zotin, “ndërroi jetë”. Kjo ishte një shprehje që ai e konsideronte ndër më të bukurat e gjuhës shqipe, por ama fituat Anastasin e Shqipërisë! Fituat një avokat atje lart, pranë Zotit që liturgjia e Shën Joan Gojartit e quan aq bukur një “mik të njeriut”. Fituat shembullin e një shpërblestari të pajtimit në tokë që tashmë iu takon të gjithëve ta ndiqni dhe për hir të së vërtetës na takon të gjithëve ta ndjekim në këtë dhe në atë anë të kufirit, i cili nuk na ndan aq shumë sa në të vërtetë na bashkon. Paqja qoftë me shpirtin e Anastasit të Shqipërisë në amshim dhe përdëllimi i kësaj dite sjelltë në zemrat e gjithsecilit prej jush ngushëllimin e Zotit të jetës”, përfundoi mesazhi i kryeministrit Rama. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›