E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Fati i hetimit të 21 janarit është fati i shtetit të së drejtës në Shqipëri

Kryesocialisti Rama u shpreh sot se Partia Socialiste do të votojë pro kërkesës së Prokurorisë për heqjen e deputetëve Taulant Balla, Tom Doshi dhe Besnik Bare.

Vënia e tyre në dispozicion të prokurorisë menjëherë pas kërkesës së saj e nderon PS-në dhe grupin e saj parlamentar, u shpreh Rama duke theksuar mbështetjen për kryeprokuroren Ina Rama, e cila siç u shpreh ai gjendet nën një presion barbar.

Lideri i opozitës theksoi se fati i hetimit të ngjarjeve të 21 janarit është vetë fati i shtetit të të drejtës në Shqipëri.

Vrasjet po zbardhen njëra pas tjetrës falë ekspertizës më të mirë të botës. Fati i këtij hetimi është vetë fati i shtetit të të drejtës në Shqipëri. Kushtetua nuk mund të shkelet duke vrarë njerëz. 21 janari duhet tu shërbejë shqiptarëve për të shpëtuar nga qeveritë që përdorin plumbat e që fshehin krimin, u shpreh Rama.

Ai vlerësoi rolin e prokurores së përgjithshme në punën për zbardhjen e ngjarjes së një viti më parë, duke vënë përballë qëndrimet e saj dhe ato të kryeministrit Berisha gjatë ditëve të fundit.

Të gjithë i panë faktet e dinjitetin e saj në shpjegimin e 21 janarit dhe gënjeshtrat e kryeministrit. Askush që ka sy për të parë e veshë për të dëgjuar nuk mund të mos e kuptojë dallimin mes të dyve. Ne do të vazhdojmë të ndërtojmë një shtet ku nuk cenohet autoriteti ligjor i institucioneve të paravura. Ina Rama nuk është për ne Silvia Konti kur na intereson dhe lavirja e bulevardit kur nuk na intereson, tha ai.

Për kreun e selisë rozë, zbardhja e ngjarjeve të 21 janarit do të shënonte një hap të madh në ndërtimin e shtetit të së drejtës e rrjedhimisht në rrugën e vendit drejt BE-së.

Qëndrimi i politikës për 21 janarin dhe zbardhja e plotë kanë të bëjnë me përpjekjet e Shqipërisë për të ecur përpara e për të ndërtuar shtetin e së drejtës. Berisha e ka shfaqur haptas dëshirën për ti vënë nën kontroll këto institucione.

Kërcënimet e tij janë kulmi i shantazhit mbi shoqërinë shqiptare, tha kryesocialisti. / G. Ndoja

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›