E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Fitoren tonë, votën e popullit, do ta mbrojmë deri në fund

TIRANE-Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama deklaroi të shtunën në mbrëmje se nëse Berisha nuk ndal maskaradën me votën e popullit atëherë një rezistencë qytetare si ajo para objektit të KQZ do të mbahet në gjithë Shqipërinë.

“Saliu sot vazhdoi ritualin e përçartjes së vet, bëri sikur s’e dëgjon zërin e popullit sovran, bëri sikur s’i kupton ftesat e miqve e partnerëve ndërkombëtarë për garantimin e lirisë e ndershmërisë së zgjedhjeve që po shkatërrohen nga Komisioni Qendror i Vjedhjeve, bëri sikur s’e sheh që edhe vetë misioni i ODIHR-it e ka parë qartë, siç e ka parë e shikon përditë gjithë Shqipëria e bota mbarë, çfarë ka ndodhur pas 14 majit kur numërimi e nxori humbës. Por nëse mendja e tij e shthurur dhe pushteti i tij i vjedhur nuk e ndalin dot maskaradën, rezistenca qytetare do të përhapet në të gjithë Shqipërinë, qytetarët e lirë e të fortë të këtij vendi do të thirren në përshkallëzimin e betejës demokratike për largimin përfundimtar të qeverisë”, shpreh Rama duke falenderuar të gjithë pjesmarrësit këto ditë në protestat para KQZ si dhe të gjithë dashamirësit që shkruajnë nga brenda dhe jashtë vendit në mbështetje të kauzës së PS.

Rama akuzoi se Berisha ka luajtur me durimin e popullit dhe kjo nuk do te lejohet me nga vete populli.
“Populli po ndërgjegjësohet se ky është momenti historik për të marrë fatet në fore. Kush duron që populli të tërhiqet për hunde. Saliu kurrgjë nuk ka mësuar nga e shkuara e hidhur, se kush luan me durimin e popullit luan me një fuqi që kur del në rrugë nuk kthehet pas pa marrë të drejtën e tij”.

Duke cituar se cfare shkakton prekja e votes, Rama shprehet se opozita do të mbrojë me cdo kusht votën.
“I siguroj të gjithë se fitoren tonë, votën e popullit Sovran, do ta mbrojmë deri në fund, me çdo sakrificë, sepse s’mund ta lëmë demokracinë në Shqipëri të fundoset në llumin e pushtetit të vjedhur, s’mund ti lëmë ëndrrat dhe shpresat e njerëzve të zakonshëm të mbyten në gjellën e pistë të kuzhinës së Saliut, s’mund t’i lëmë liritë dhe të drejtat e shqiptarëve të burgosen në oborrin e këtij pushteti të degjeneruar”.

Sipas Ramës, Berisha nuk ka synim parësor vetëm Bashkinë e Tiranës me numërimin sipas tij ilegal që po u bën fletëve të kontestuara, por realisht tha ai, kerkon të frikësojë institucionet e pavarura dhe popullin.
“Saliu synon jo vetëm Bashkinë e Tiranës, por gjunjëzimin e opozitës, pushtimin e institucioneve, frikësimin e popullit, por ai harron, Shqipëria nuk është Tunizi”.

"Pa prekshmërinë e votës së lirë nuk ka më as Kushtetutë të paprekshme, as ligj të paprekshëm, as liri dhe të drejta të paprekshme, as njerëz të mbrojtur e të sigurt në jetën e tyre. Paprekshmëria e votës është themeli i bashkëjetesës demokratike dhe prekja e këtij themeli është alarm për çdo qytetarë që nuk e fal lirinë, nuk i negocion të drejtat, nuk e shet dinjitetin e tij", u shpreh nder te tjera Rama. 

Kreu i PS garantoi se asnjë nga këto kërcënime nuk do ti rezistojë dot rezistencës qytetare që po përgatitet të shpërthejë në mbarë vendin.
“E siguroj Saliun se as dhunimi i institucioneve dhe as dhuna e ushtrimit nëpërmejt institucioneve nuk do ti rezistojnë dot rezistencës qytetare. Shqipëria ka 20 vjet që vuan nga kriza e votës. Ne do e cojmë deri në fund këtë përballje, mes një njeriu që po turpëron Shqipërinë haptasi duke kthyer votën në një paralizë për vendin dhe ne që kërkojmë më të mirën për të ardhmen”

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›