E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rama: Fqinjësia me Greqinë, jo burim sebepesh për ngërçe që i paguajnë qytetarët

TIRANË, 3 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, në një takim në Selanik me shqiptarët e Greqisë, nënvizoi domosdoshmërinë për ta parë historinë me sytë e të ardhmes së pandashme mes Shqipërisë dhe Greqisë.

“Sidoqoftë nuk kam ardhur këtu që të ripërtyp bashkë me ju historinë e jashtëzakonshme dhe komplekse të këtij qyteti në funksion të kurrëfarë qëllimi politik, largqoftë, dhe në asnjë mënyrë në kërkim të ndonjë kundërshtie të radhës për këndvështrimin tonë të historisë. Përkundrazi, me gjithë çfarë po them në homazh të një pjese të varrosur apo të hedhur si prapa krahëve të historisë së mahnitshme të këtij qyteti, historia e një Europe pararendëse, të një Europe të shumë shteteve dhe gjuhëve është pikërisht domosdoshmëria për ta parë historinë me sytë e të ardhmes së pandashme mes Shqipërisë dhe Greqisë”, tha Rama.

Kryeministri vlerësoi se shqiptarët e Greqisë, ashtu si edhe grekët e Shqipërisë janë thelbi brenda bërthamës së pandashme të një fqinjësie.

Kjo fqinjësi, sipas tij, “duhet të jetë burim miqësie jo konfliktesh, burim fuqie të përbashkët, jo karshillëqesh ndaj njëri-tjetrit, burim partneritetesh në çdo nivel, nga niveli i fqinjëve në lagje, deri në nivelin e qeverive”.

Rama tha se nuk duhet të jetë burim sebepesh për ngërçe mes njëri-tjetrit, që pastaj i paguajnë të gjithë qytetarët e zakonshëm të dy vendeve tona.

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se duhet të përpiqemi që marrëdhënieve strategjike të shekullit XXI me Greqinë t’u japim të gjithë shanset e një potenciali të madh ende të paçliruar të bashkëpunimit dhe bashkëveprimit dinamik mes dy shteteve.

Nga Selaniku Rama deklaroi se ka mjaft arsye historia e fqinjësisë në Europë, në Ballkan po e po, për t’ia filluar avazeve të vjetra të së shkuarës, të cilat nuk çojnë asgjëkundi.

“Përkundrazi, më keq akoma, çojnë në hapje problemesh bilaterale që bëhen gurë dhe gropa në rrugën europiane të vendeve tona, e cila duam s’duam, duan s’duan, është e pandashme dhe është e përbashkët”, tha Rama.

Ndaj, Rama tha se duke e parë të shkuarën me sytë e së ardhmes politika në histori duhet të kërkojë vetëm arsyet për të gjetur se sa të shumta janë lidhjet e përbashkëta që jeta jonë nën diellin që bashkëndajmë prej mijëra vitesh të bëhet fuqia e përbashkët në dispozicion të paqes, sigurisë, zhvillimit dhe mirëqenies së dy popujve.

/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›