Rama: Gjetëm një qeveri të zhytur në borxhe, rritëm me 2 herë e gjysmë prodhimin e përgjithshëm kombëtar

TIRANË, 3 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Selaniku se qeverisja e Partisë Socialiste ka përmbysur në çdo drejtim realitetin e zymtë në të cilin ndodhej Shqipëria më parë.
Në takimin me shqiptarët e Greqisë në Selanik, Rama kujtoi se kur PS erdhi në pushtet gjeti një qeveri të zhytur në borxhe me rrugë të mbetura rrugëve.
“Rreziku i kolapsit energjetik ishte më i madh se kurrë. Borxhi ndaj kompanisë të energjisë elektrike ishte 1.3 miliardë dollarë. Korrupsioni i pranishëm në çdo takim të qytetarëve me shtetin. Turizmi në Shqipëri mbahej gjallë nga malli i emigrantëve dhe nga patriotizmi i shqiptarëve të Kosovës e Maqedonisë”, tha Rama.
Rama solli në vëmendje se “qytetet e Shqipërisë ishin të mbuluara nga pluhuri i harresës së shtetit, ndërkohë që Tirana kishte ndalur njësoj si sahati në kohën kur kryetari i bashkisë ia kishte futur gjumit”.
Situata në zonat rurale, sipas tij, ishte akoma më keq, me më shumë se sa gjysmën e tokave të bukës djerrë për mungesë uji, ndërkohë që pikat e grumbullimit të prodhimit numëroheshin me gishtat e njërës dorë.
“Agroturizmi nuk ekzistonte. Paga minimale ishte 150 euro dhe paga mesatare në sektorin publik 370 euro. Prodhimi i Përgjithshëm i vendit, më pak se 10 miliardë euro. Angazhimi i forcave të punës, më pak se 50% dhe borxhi publik totalisht jashtë kontrollit, në terma realë kishte prekur tavanin e rrezikshëm të 80%, që mund të binte dhe të zinte brenda Shqipërinë”, tha Rama.
Sot, sipas tij, “ai realitet i zymtë i një Shqipërie ku vetëm malet dhe detet mund të nxirreshin fotografi pa të ardhur zor, ndërsa xhevahiret e trashëgimisë sonë si Korça, Gjirokastra e Berati ishin mbuluar nga hija e rrënimit të hidhur, është përmbysur në çdo drejtim”.
Rama theksoi se “bumi i turizmit është shembulli më kokëfortë i kësaj përmbysjeje”.
“Por ende më i rëndësishëm për të ardhmen është era e re e shtetit që fryn gjithnjë e më e fortë, prova më kuptimplotë e së cilës është ftesa e BE-së për Shqipërinë për t’u ulur në tryezën e negociatave dhe për të dakordësuar anëtarësimin”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se në vetëm një dekadë “ne kemi rritur me dy herë e gjysmë prodhimin e përgjithshëm kombëtar, duke e çuar në 25 miliardë euro dhe kemi shënuar rritjen më të lartë në rajon”.
Kryeministri theksoi se Shqipëria është e para në rajon në rritjen e prodhimit të brendshëm për frymë.
“Jemi rritur 100%, si asnjë vend tjetër i rajonit. Nëse një dekadë më parë ishim të parafundit, me 3324 euro për frymë, sot jemi mbi mesataren e rajonit, me 10383 euro për frymë dhe renditemi të tretët pas Serbisë dhe Malit të Zi, që kanë qenë shumë para 10 vite më parë”, shtoi Rama.
/j.p/