Rama: PS e vetmja forcë ndërtuese në Shqipëri, garanci për të mos rrezikuar kthimin pas

TIRANË 3 nëntor /ATSH/ Kryetari i Partisë Socialiste njëherësh kryeministri Edi Rama në takimin e sotëm me komunitetin shqiptar në Selanik, deklaroi se, PS ka qenë e vetmja forcë ndërtuese në Shqipëri këto 30 e kusur vite.
“Unë do ju kërkoja të gjithë shqiptarëve që duke i njohur hapat e historisë sonë të përbashkët deri këtu, duke e ditur sesa shumë na është dashur për të ardhur deri këtu, duke i kujtuar të gjitha ato që na kanë ndodhur në rrugën për këtu, të mos gabojnë. Askush të mos gabojë, duke kujtuar se kjo që kemi arritur në çdo drejtim, ku padiskutim ka ende shumë për të bërë nuk kthehet përmbys nga e para, siç ka ndodhur jo njëherë në historinë tonë”, u shpreh Rama.
“Askush të mos gabojë duke harruar se në këto 30 e kusur vite, qysh prej hyrjes në të përpjetën e shtet bërjes demokratike, në Shqipëri ka pasur vetëm një forcë ndërtuese, Partia Socialiste e Shqipërisë”, theksoi Rama.
Ndërkohë që, shtoi kreu i qeverisë, “Shqipëria ka bërë vetëm hapa mbrapa, madje ka rrezikuar të përfundojë në humnerë sa herë ka rënë në dorën e forcave të tjera. Këtë e tregon historia nga viti 1991 deri sot këtu në Selanik në vitin 2024”.
“Askush mos të gabojë se duke menduar se barazia para ligjit që ka nisur më në fund të vlejë njësoj si për qytetarin e zakonshëm, si për atë që ngjitet deri në majën më të lartë të piramidës është një arritje që nuk rrezikohet më, nëse nuk konsolidohet dhe për ta konsoliduar ka vetëm një garanci të mundshme, forca udhëheqëse e Partisë Socialiste të Shqipërisë”, tha Rama.