E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Gati 200 milionë euro investime në energji dhe ujë të pijshëm

TIRANË, 26 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim në Shkodër me sipërmarrës të rinj, shumica të kthyer nga emigracioni, ku theksoi se “janë mbi 190 milionë euro, gati 200 milionë euro investime në energji elektrike dhe në furnizimin me ujë”, sektorë që sipas Kryeministrit, “kanë qenë katastrofë”.

“Patjetër që duhet më shumë! Mos harrojmë që kemi në kantier rrugën e Dukagjinit që ishte kërkesë. 47 km rrugë është futur në punë, rruga e Komanit tjetër histori shumë, shumë vjeçare”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama tha se “rruga Shirokë-Zogaj që lidh Shkodrën me Malin e Zi nga një hyrje tjetër hapet komplet një territor tjetër. Faktikisht janë kantiere që të gjitha kanë pasur nevojë të hapen, por nuk janë bërë në shumë e shumë vite dhe tani janë drejt përfundimit ose në punë. Rruga Shëngjin-Velipojë pritet të përfundojë në muajin prill dhe të jetë e hapur këtë sezoni turistik”.

“Nuk është vetëm kjo zonë, por përfundimi i këtyre akseve kryesore e përmbyll qarkun e Shkodrës në tërësi. Akset kryesore dhe hekurudha që kalon e projektuar në Gjakovë dhe lidhet me Prishtinën që është projekti në proces dhe tani jemi në procesin për mbulimin me financim. Hekurudha Tiranë-Rinas-Durrës që mbaron së shpejti, janë bërë 80% e punimeve, është Vorë-Hani i Hotit që është në proces të garës, është hekurudha e Korridorit 8, që shkon nga Durrësi në Rrogozhinë dhe poshtë deri në Pogradec dhe lidhet me Maqedoninë e Veriut”, nënvizoi Rama, duke shtuar se janë shumë vepra që pak nga pak dhe mblidhen të gjitha bashkë dhe krijojnë skeletin e plotë kryesor.

Kreu i qeverisë vuri në dukje se ka prapë segmente të tjera që duhen lidhur e pasuruar.

“Kjo lidhet me çfarë fitojmë mbrapsht ekonomikisht që çfarë investojmë të kthehet në ekonomi disafish, se ndryshe s’ka kuptim”, tha Rama.

/k.s//r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›