Rama: Gati projekti i detajuar për stadiumin e Korçës

TIRANË, 15 prill/ATSH/ Stadiumi i ri i Korçës, që do të jetë shtëpia e ekipit korçar “Skënderbeu”, do të shndërrohet së shpejti bashkë me Pallatin e Sportit, në qendër të re për qytetin, ku jeta sportive do të marrë hov dhe do të zhvillohet përgjatë gjithë vitit. Projekti është hartuar nga kompania spanjolle “Cebra Architecture”.
Në rubrikën “Sy m’Sy”, ku ka zgjedhur t’u përgjigjet pyetjeve të qytetarëve përmes rrjetit social “Facebook”, Rama tha sot se kompania që u shpall fituese ka përfunduar projektin e detajuar dhe se ky projekt ka mbërritur tashmë pranë Agjencisë Shqiptare të Investimeve.
“Kompania që u shpall fituese ka përfunduar projektin e detajuar për stadiumin e Korçës. Ky projekt tashmë është dorëzuar pranë Agjencisë Shqiptare të Investimeve dhe pritet të hapet gara për partnerin”, tha Rama.
Për projektin e stadiumit të Korçës u shpall fituese, nga një juri ndërkombëtare, studioja daneze “Cebra”, në garë me një kompani italiane dhe një spanjolle.
Stadiumi i ri i Korçës do të shërbejë jo thjeshtë si një arenë e përballjeve futbollistike, por do të jetë një qendër që do të shërbejë si një katalizator për shumë zhvillime, për shumë dinamika në qytet duke integruar edhe jetën sportive, kulturore, artistike, edukative, por edhe tregtare.
1 nga 4/r.e/a.f/