Rama: Gati të shkojmë në rivotim në Tiranë. Nisim kurs të ri: ANGAZHIM konstant parlamentar. Bojkoti e kreu misionin
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në fjalën e mbajtur përpara Asamblesë Kombëtare, fillimisht u përqendrua tek fitorja në zgjedhjet e 8 majit. Rama tha se PS fitoi në mbi 2/3 e vendit. Më pas ai foli për garën e Tiranës e sidomos për vendimin që pritet të japë Kolegji më 6 korrik.
Kolegji të respektojë precedentët e vendosur nga vetë ata në disa njësi vendore duke detyruar përsëritjen e zgjedhjeve. Ne i fituam zgjedhjet e Tiranës dhe të gjithë shqiptarët i panë dhe i numëruan votat në kohë reale përmes televizorit. Fitorja jonë u mohua në thelbin e saj kushtetues në Kolegj, që ligjëroi ndryshimin arbitrar të rregullave në mes të lojës, pavarësisht deklaratave pa ekuivok të miqve tanë ndërkombëtarë për sjelljen e KQZ-së, tha Rama.
Ai u shpreh se PS është gati të shkojë në rivotim në Tiranë. Për të mos lejuar që kriza e zgjedhjeve të thellohet, ne jemi gati të kthehemi të rikthehemi para popullit sovran të Tiranës përmes një rigjykimi përmes votave, tha Rama.
Duke përmendur vendimin e Kolegjit Zgjedhor në vitin 2009, që e futi vendin në krizë, Rama tha se Kolegji mund të japë tani një vendim që do hapë një histori të re.
Një vendim Kolegji tani mund të bëhet zanafillë e një historie krejt tjetër, që do të tregojë se vota mbrohet me ligj e gjyq, tha Rama.
Më pas Rama foli gjatë për kursin që do ndjekë opozita në vijim. Ai tha se nuk është folur për bojkot dhe shtoi se opozita është gati për betejë në parlament.
Ne kemi përgjegjësinë për të mos lejuar Shqipërinë që të largohet nga rruga e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Nuk është vendosur asnjë rikthim në bojkot, dhe pavarësisht se nuk janë të pakët deputetët dhe mbështetësit tanë që e konsiderojnë ribojkotin e parlamentit një opsion themelor, jam i bindur që bojkoti e ka kryer funksionin e vet pasi çështja jonë u shtrua në tavolinat e Perëndimit. Strategjia jonë e dha rezultatin e vet të shkëlqyer për ata që kanë sy për të parë. Më 8 maj shqiptarët u derdhën tek kutia e votimit dhe ne fituam bindshëm, tha Rama.
Detyrimi për të drejtuar 2/3 e vendit sot imponojnë nevojën e një kursi të ri. Kemi nënshkruar një pakt me qytetarët. Sezoni i ri parlamentar do jetë për ne sezoni i nismave të reja, theksoi Rama.
Kryetari i PS deklaroi se në axhendë do jenë 12 kriteret e BE-së.
Kemi pjesën tonë të patjetërsueshme në paktin tonë me BE. Saliu e ka prekur këtë pakt. Ai nuk e dëshiron integrimin evropian, pavarësisht se çfarë shpreh me fjalë. Sa më afër këmba jonë drejt BE, aq më larg duart e pushtetit nga liritë e të drejtat kushtetuese. 12 prioritetet e përcaktuara dhe të ripërcaktuara të BE, në përpjekje për të ndihmuar Shqipërinë, duhet të afirmohen si ne si pjesë përbërëse e programit tonë politik dhe si angazhim konstant parlamentar. PS duhet të përgatitet për një përpjekje të re, të shumanshme në çdo front, tha Rama.
Ai u dha përgjigje edhe zërave brenda PS, të cilët kërkojnë ndryshime.
Nuk jemi në asnjë garë për të nxjerrë kokën mbi njëri- tjetrin, por në një betejë për të nxjerrë sipër kokën e Shqipërisë, tha Rama.
Një pjesë të fjalës Rama ia kushtoi edhe medias.
Pushteti i katërt, mediat, është molepsur si mos më keq nga pushteti i partisë së Berishës. Shpiken pafundësi titujsh e lajmesh për të kënaqur epshin thuajse shtazarak për asgjësimin e opozitës, tha Rama duke përdorur për këta gazetarë termin FrrokBallinjtë.
Rama tha se synimi i PS është ndërtimi i një skuadër të madhe fituese.
Ky është synimi, ndërtimi i një skuadre të madhe fituese. Më shumë se një proces organizativ, kjo është një frymë skuadre. Ne do të organizohemi si asnjëherë më parë për të ndërtuar aleancën e fitores, për ti fituar bindshëm zgjedhjet e ardhshme. Ne nuk na duhen më aleanca me politikën e vjetër, por me çdo grup interesi, me çdo qytetar. Reforma organizative që do bëjmë do tregojë se ne jemi partia e madhe e shqiptarëve. Ne duam të qeverisim Shqipërinë për arsye krejt ndryshe nga ato të Saliut. Ne jemi të sfiduar për të treguar këtë gjë për qytetarët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë, tha Rama.
Ne do angazhojmë dy grupe punë në Asamblenë Kombëtare, që jo thjesht do hartojnë programin politik, por së pari do konceptojnë një proces. Diskutimet do shtrohen për zgjidhje për një Shqipëri të re. Një kantier i tërë pune për të përgatitur fitoren e ardhshme pret kontributin e secilit, tha Rama, duke ritheksuar në fund garën për Tiranën.
Ndërkohë të mos humbasim për asnjë çast fokusin tonë nga beteja për Tiranën, e cila përbën një detyrim prioritar ndaj të gjithë popullit opozitar. Koha e Saliut ikën çdo minutë, koha e Shqipërisë afron përditë e më shpejt. Por koha është një pasuri që një parti e madhe si e jona nuk mund ta shpërdorojë. Në këtë momente fusha është në përballjen e drejtësisë me faktet e prova të pakontestueshme të një vjedhjeje të një fitore që duhet mbrojtur, tha Rama.