E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Gjermania, Suedia dhe Holanda kanë pasur kryeministra me katër mandate, zgjedh populli

TIRANË, 15 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sot në rubrikën “Sy m’Sy”, një komentuesi nga Kosova, i cili i shkruante se në Kosovë janë ndërruar 5 kryeministra gjatë 12 viteve të fundit, dhe se Shqipëria është kthyer në një vend diktatorial.

“Nuk është me dekada, një dekadë është 10 vjet e para, e dyta e punës, të duket diktaturë Gjermania ty, për shembull? Për kuriozitet! Gjermania ka pasur dy kancelarë me 4 mandate, me një që hyri në mes me dy mandate. Holanda, diktaturë të duket ty, që kryeministrin e vet e kishte 4 mandate, sot është Sekretar i NATO-s? Po këto vendet lart të Europës Veriore, Suedia, Finlanda diktatura të duken ty? Suedia nuk e di se sa vjet ka qëndruar e njëjta parti në pushtet. Diktatura të duken ty? Zgjedh populli. Kjo është e gjitha, të tjerat janë “dokrra hini”, thoshte At Gjergj Fishta”, u shpreh Rama.

Kryeministri iu përgjigj edhe një komentuesi në lidhje me anëtarësimin në BE, i cili shkruante se “që nga 2013 deri tani në 2025 ke thënë do të fusim Shqipërinë në Europë”.

“Unë nuk kam thënë që nga 2013 do të fusim Shqipërinë në Europë, kam thënë që nga 2005 kur jam bërë kryetar i PS, dhe meqë ti më kujton 2013-n po të them që në 2013-n kur unë mora detyrën dhe kam thënë do të fus Shqipërinë në Europë është e vërtetë kjo, Mali i Zi i kishte hapur negociatat që në 2012-n, nuk është sot në Europë akoma”, u shpreh Rama.

Kryeministri deklaroi se, “në 2013-n Shqipëria ishte një prezencë e përçmuar në tryezat e Europës kur i binte rasti ndonjëherë të ulej me shumë të tjerë. Kur i binte rasti ndonjëherë, të jemi të qartë! Dhe nuk ishte as kandidat, statusin e kandidatit s’e kishte. E di ti kur e ka marrë statusin kandidat Maqedonia për të hyrë në Europë? Në 2005-n. Po Serbia, e di kur e ka marrë dritën jeshile për të hapur negociatat? Në 2014-n. Ne i kemi hapur negociatat vetëm vjet se na penguan për arsye që i kam shpjeguar një mijë herë. Ja ku jemi sot, jemi me fjalët e tyre jo të miat: front-runners, pararoja e rajonit dhe kjo nuk është se kam gënjyer unë, unë kam thënë vetëm të vërtetën, do ta fusim Shqipërinë në Europë, me sesbën”.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›