Dyfishohen të ardhurat nga administrimi i pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara

TIRANË, 4 mars/ATSH/ Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) ka dyfishuar të ardhurat nga qiradhënia e pronave të sekuestruara dhe konfiskuara në vitin 2024, krahasuar me vitin 2023.
Referuar shifrave, të ardhurat për vitin 2024 ishin 159 milionë lekë, ose 96.2% më shumë sesa në vitin 2023. Të ardhurat e siguruara nga qiradhënia në vitin 2023 ishin 81 milionë lekë.
Rritja e të ardhurave është realizuar përmes rritjes së eficiencës dhe mirëmenaxhimit, si edhe uljes së shpenzimeve për administrimin e pronave të sekuestruara dhe konfiskuara.
AAPSK menaxhon pasuritë e sekuestruara dhe konfiskuara për të nxjerrë të ardhura përmes dhënies me qira ose formave të tjera të shfrytëzimit nga palë të treta. Ndërsa, pasuritë që amortizohen ose konsiderohen të papërdorshme mund të kalojnë në procedura shitjeje, por kjo mund të ndodhë vetëm me vendim të Komitetit Ndërinstitucional për Masat Kundër Krimit të Organizuar.
Të ardhurat e mbledhura përdoren ndër të tjera edhe për kompensimin e viktimave të krimit ashtu sikundër për mbështetje financiare e infrastrukturore për agjencitë ligjzbatuese.
Ky mekanizëm siguron që pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara të mos mbeten të pashfrytëzuara. /j.p/
