Rama: Gjykata Kushtetuese t’i rrijë besnike vetes, t’i japë mundësinë Veliajt të vazhdojë detyrën

TIRANË, 11 nëntor/ATSH/ Në dëgjesën me banorët e Njësinë nr. 5 në Tiranë, kryeministri Edi Rama u ndal tek vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të lënë në detyrë si kryetar të bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn.
Në fjalën e tij Rama tha se për buxhetin e bashkisë së Tiranës normalisht dëgjesat do t’i bënte kryetari i bashkisë.
“Por kryetarin e bashkisë së Tiranës e kemi në burg pa gjyq. Dhe në ndërkohë jemi në një paradoks shumë të madh, kur kryetari i bashkisë së Tiranës u mor dhe u tërhoq nga zyra për t’u futur në qeli si i paraburgosur, gjë që ndodh normalisht sipas ligjit vetëm për njerëzit shumë të rrezikshëm. Unë e thashë publikisht që kjo është disproporcionale”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se çdo njeri në Shqipëri, në çfarëdo pozicioni nëse duhet hetuar, duhet hetuar.
“Por, çdo njeri në Shqipëri dhe në të gjithë botën demokratike, deri kur gjykata e nxjerr fajtor, është i pafajshëm. Ama nuk diskutohet që, në qoftë se njeriun e merr edhe e fut brenda, dhe pastaj lëshohen të gjitha llojet e hijenave dhe të gjitha llojet e klounëve të cirkut politik dhe mediatik për t’i bërë gjyqin, atëherë patjetër që ndodh siç ndodhte dikur: vjen një herë dënimi publik, pastaj vjen dhe pjesa tjetër”, theksoi Rama.
Gjithsesi, vijoi Kryeministri, më pas, duke parë që të gjitha shkallët e gjyqit nuk e nxorën kryetarin e bashkisë që të vazhdojë të kryejë detyrën dhe paralelisht të bëjë procesin, ne menduam që Tirana nuk ka arsye të paguajë për një kohë të gjatë mungesën e drejtimit.
“Po bëjnë maksimumin ata që drejtojnë sot. Këtu janë nënkryetarët e bashkisë. Kryetarja në detyrë nuk ishte sot në Shqipëri, për arsye pune por po bëjnë maksimumin, por nuk është e njëjta gjë. Dhe për këtë arsye, ne menduam, në respekt të plotë sipas nesh të ligjit. Sepse ligji, – kushtetuta, më saktë, thotë dy gjëra të ndryshme: tjetër për deputetin, tjetër për të zgjedhurin lokal. Për deputetin thotë “pa arsye” kur mungon; për të zgjedhurin lokal nuk e thotë fare. Gjykata Kushtetuese doli me një vendim tjetër nga i yni. Nuk kam asnjë arsye të dyshoj që e kam parë nga një këndvështrim i arsyeshëm, pavarësisht se i kundërt me këndvështrimin tonë”, nënvizoi Rama.
Mirëpo, tha Rama, tani duhet të zgjedhim, sepse kanë thënë që kryetari i bashkisë është në pamundësi ta ushtrojë detyrën, por nuk mund të bëhen zgjedhje sepse ai është kryetar bashkie.
“Në rregull, jepini mundësinë ta ushtrojë detyrën. Bukur, kur të vijë atje që të kërkojë të lirohet që të vazhdojë detyrën shpresoj që Gjykata Kushtetuese t’i rrijë besnike vetes dhe t’i japë mundësinë të vazhdojë detyrën, apo jo? Por deri atëherë, ne jemi këtu. Ju jeni këtu dhe të gjithë atyre që janë këtu, në këtë qytet, ju duhet qyteti të pastrohet normalisht, qyteti të funksionojë normalisht, shërbimet të bëhen normalisht, buxheti të vendoset në dispozicion normalisht”, tha Rama.
Për këtë arsye, theksoi Rama, ne po e mbështesim bashkinë që të bëjë më të mirën për buxhetin dhe, për këtë arsye, menduam me Ogertën, si drejtuesja politike e qarkut, por edhe si deputete e Tiranës, që të vazhdojmë të komunikojmë në këto dëgjesa, ku dhe unë po marr pjesë sot këtu.
“Do marr pjesë, kur të jetë mundësia për këto dëgjesa, do t’i bëjmë në të gjithë territorin”, tha Rama. /k.s/j.p/