Rama: Rritja e rrogave dhe pensioneve nuk shoqërohet me rritje taksash

TIRANË, 12 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama sqaroi sot se rritja e rrogave dhe pensioneve nuk bazohet te rritja e taksave, pasi Shqipëria është vendi i vetëm në Ballkan ku biznesi i vogël nuk ka asnjë taksë.
Gjatë një bashkëbisedimi me banorët e njësisë nr. 5 në Tiranë për projektbuxhetin 2026, Rama u shpreh se “nga mbi 100 mijë biznese në vend, tatohen vetëm rreth 11 mijë”.
“Gjithë të tjerët s’paguajnë taksë. Dhe jo vetëm kaq, po bizneset e vogla deri në 100 mijë euro xhiro nuk paguajnë as TVSH, janë komplet të lirë nga çdo detyrim tjetër, përveç kuptohet sigurimit shëndetësor dhe sigurimit shoqëror, që ajo s’është taksë, ai është kontributi për pensionin dhe për shëndetin e kujtdo që punon”, tha Rama.
Po ashtu, Rama tha se prej 12 vitesh nuk ka lëvizur taksa për kompanitë, që është 15%.
“Kjo do të thotë që ne nuk e kemi mbështetur tek taksimi, tek rritja e taksave, rritjen e mbështetjes për paga, për bonuse pensioni, për mirëqenie sociale, etj.”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se në fshat, praktikisht shteti nuk takson. Sipas tij Shqipëria ka barrën më të ulët fiskale.
“Kjo ka qenë një filozofi që të rrisim mundësitë, pa i rënë shkurt, takso këtej, shpenzo andej dhe t’i japim kohë biznesit të vogël që të forcojë muskujt, që të bëhet pak nga pak i gatshëm për të bërë diçka më shumë dhe që të rrisë kapacitetin për të punësuar njerëz”, shtoi Rama.
Duke u rikthyer te projektbuxheti 2026, Rama tha se kjo rritje e konsiderueshme e financimit që do të shkojë drejtpërdrejt në tryezën e familjeve, edhe përmes mbështetjes për pensionistët nuk do të shoqërohet me rritjen e asnjë takse.
“Nëse nesër do të na duhet të rrisim sigurimet shoqërore apo shëndetësore kjo është një temë që do ta përballim kur të vijë dita, po jo për këto që fola. Këto që fola janë të futura në buxhetin afatmesëm, janë të dedikuara për pensionistët, janë të dedikuara për pagat, janë të dedikuara për pagën minimale”, shtoi ai.
Duke folur për rritjen e pensioneve, Rama tha se rishpërndarja e asaj që u krijua nga rritja ekonomike tek pensionistët, ka qenë dhe është momenti më çlirues. /j.p/