Rama: Grupi Blushi në rrugën e Berishës

Kreu socialist flet në “Top Channel”: Nëse humbet fuqia e votës i takon radha popullit
Kryetari i Partisë Socialiste njehson deputetët e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe me kundërshtarin politik Sali Berisha. Në kulmin e debateve mes Partisë Socialiste dhe mazhorancës, Rama lëshoi akuza ndaj grupimit antibojkot brenda partisë. Në një intervistë për “Top Channel”, kreu socialist ka shprehur bindjen se plani dhe strategjia e tij gëzojnë mbështetjen e të gjithëve, por sipas tij, ata që mendojnë ndryshe do të thotë se rruga e tyre nuk është njëjtë me atë të PS-së, por me atë të Berishës. “Nuk besoj se ka sot ndonjë qytetar të këtij vendi që të ketë nevojë për shpjegime në këtë pikë. Rruga e tyre nuk përputhet me rrugën e PS-së, por me atë të Berishës që ka vendosur të grabisë zgjedhjet në Shqipëri”, argumentoi Rama. Me këtë mesazh duket se Rama kërkon t’u japë fund debateve me pesë deputetët e grupit parlamentar, të cilët vijojnë të këmbëngulin se PS-ja duhet të hyjë sa më parë në Parlament, ndërkohë që tre prej tyre kanë udhëtuar pak ditë më parë drejt Brukselit, ku shprehën shqetësimin e tyre te të majtët dhe të djathtët e BE-së. Prej disa ditësh, kryesocialisti ka sulmuar deputetët, duke deklaruar se takimet e tyre në Bruksel janë sponsorizuar nga Sali Berisha, ndërkohë që strategjia e tyre për të sulmuar vetëm PS i njehson me vetë Berishën. Duke iu rikthyer debatit të momentit, në këtë intervistë Rama theksoi se opozita është e gatshme të ulet në një tryezë dhe të dialogojë për zgjidhjen e krizës, por ka hedhur dyshime mbi vullnetin e Kryeministrit Berisha. “Unë jam shprehur qartë, pa asnjë ekuivok, se jam i gatshëm të ulem në këtë tryezë për të hapur një dialog që do të zgjidhë krizën politike. Nga pala tjetër nuk ka asnjë angazhim për dialogun, por vetëm fjalë që fshehin pavendosmërinë dhe mungesën e qartë të vullnetit për të hapur një dialog dhe për të shmangur krizën, të cilën shpresoj se do të zgjidhet me anë të arsyes”, pohoi Rama. Lideri i opozitës këmbënguli në idenë e hetimit në themel të zgjedhjeve, duke e cilësuar hapjen e kutive një të drejtë kushtetuese të Kuvendit. “Berisha është njeriu i fundit në Shqipëri që duhet të flasë për Kushtetutën. E ka shkelur 33 herë dhe janë 16 atentate që janë anuluar nga Gjykata Kushtetuese. Kërkesa jonë nuk ka të bëjë as me gjykatën, as me vendimin e gjykatës, të cilit i referohet Berisha, por me të drejtën e Parlamentit për të hetuar çdo çështje të një rëndësie të veçantë. Kjo është çështja e ndershmërisë së zgjedhjeve dhe ka një rëndësi të veçantë. I lëmë spekulimet, të ulemi për të zgjidhur krizën, të hapim kutitë dhe të largohemi nga ajo pjesë që po na mban të lidhur me këtë situatë. Duhet një proces i ndershëm zgjedhor ku vendos populli”, nënvizoi Rama. Pas këtyre hapave, opozita, deklaroi kreu socialist, është gati të debatojë dhe të japë konsensus për reformat e mëdha në vend. “Në mënyrë që këto detyrime të zbatohen në funksion të interesit të Shqipërisë është e domosdoshme të çmontohet mekanizmi keqbërës i zgjedhjeve në Shqipëri dhe t’i hapet rrugë një procesi demokratik që zhvillohet në Parlament, por duke marrë parasysh faktin se Parlamenti vlen si vendi i përfaqësuesve të popullit, për aq kohë sa vota nuk e ka humbur fuqinë e saj. Nëse kjo fuqi humbet, i takon popullit të marrë fuqinë në dorë”, theksoi Rama.
#