E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga në gjykatë brigadierit të Gërdecit

Megaprocesi
Veiz Muço, i njohur me nofkën “Vangjeli”, ndalohet për “dëshmi të rreme”. Rrezikon edhe për “vrasje masive”

Prokuroria ka urdhëruar dje arrestimin e brigadierit të fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec, Veiz Muça, i njohur me nofkën “Vangjeli”. Ai është ndaluar menjëherë sapo ka mbaruar dëshminë nën akuzën e “dëshmisë së rreme”. Sipas akuzës, dëshmia e Muçës nuk korrespondon me deklarimet që ka dhënë para oficerëve të policisë gjyqësore. Krahas akuzës së dëshmisë së rreme, Veiz Muça, mund të akuzohet edhe për vrasje masive, pasi shumë prej punëtorëve në fabrikë, që kanë dëshmuar, e kanë implikuar si personin që i merrte në punë, ndante detyrat dhe kishte përgjegjësi për 130 punonjësit. Pritet që grupi i prokurorëve të marrë procesverbalet e seancave gjyqësore dhe të rivlerësojë rolin e “Vangjelit” gjatë shpërthimit të fabrikës së Gërdecit.
Brigadieri
Muço ka qenë dëshmitari i dytë i seancës së djeshme. Sipas prokurorisë, dëshmia e tij ka qenë kontradiktore gjatë dy deklarimeve të dhëna në prokurori. Dukë vënë re këtë mospërputhje, organi akuzës ka kërkuar procedim penal nën akuzën e “dëshmisë të rreme” ndaj Muçës. Sapo ka dalë nga procesi, ai është arrestuar nga policia në ambientet e Gjykatës së Faktit Tiranë. Në momentin e arrestimit, Muço ka reaguar duke thënë se “kam fëmijë për të mbajtur”, ndërsa më pas ka kërkuar shpjegime duke shqiptuar se “çfarë keni me mua, pse më arrestoni”. Pas prangosjes së ish-brigadierit të fabrikës, kanë reaguar disa nga avokatët, të cilët kanë braktisur sallën e gjyqit. Maks Haxhia, Mark Pëllumbi, Bashkim Hasani dhe Arben Prifti nuk janë paraqitur më në seancë. Sipas tyre, seanca nuk mund të vazhdonte, pasi dëshmitarët e tjerë që ishin jashtë sallës ishin nën presion psikologjik pas arrestimit të Veiz Muçës. Në këtë moment trupi gjykues vendosi që vazhdimi i seancës ishte i pamundur duke e ndërprerë atë. Ndërkohë, gjatë dëshmisë së tij, Veiz Muço tha se punëtorët e fabrikës e njihnin me emrin “Vangjel”. “Unë, kam punuar në të dy proceset, në atë të fishekëve dhe të predhave. Detyra ime ishte të ndaja grupet dhe detyrat, si dhe të shkruaja punën që punëtorët bënin. Nuk kisha për të detyrë të punësoja njeri apo dhe të shkarkoja, me këtë punë merrej Dritan Minxolli”, deklaroi ai. I pyetur se ku ishte në momentin e shpërthimit Muço tha se kishte qenë në restorant së bashku më Minxollin për të ngrënë drekë. Kjo ishte dhe një pjesë të cilën prokuroria e hodhi poshtë, pasi në deklaratat e mëparshme ai kishte deklaruar se gjatë shpërthimit sapo kishte dalë nga fabrika me makinë me Dritan Minxollin. Ajo çka ra më shumë në sy gjatë dëshmisë së tij, ishte se shikimin e drejtonte gjithmonë tek i pandehuri Dritan Minxolli.
Dëshmitë
Në seancës e djeshme gjyqësore dëshmoi edhe Uran Deliu, 30 vjeç lindur në Mat dhe banues në Gërdec. Dëshmitari është një nga personat më të prekur nga tragjedia, pasi ka humbur një pjesë të njerëzve më të afërm. Ai deklaroi se kishte qenë disa herë në fabrikë për të ndihmuar prindërit në punën e tyre. 30-vjeçari deklaroi se nuk ishte në dijeni se prindërit kishin firmosur ndonjë kontratë para se të fillonin punë. “Babai im përveç punës në fabrikë saldonte dhe karrocat që prisheshin gjatë punës. Këtë proces e kryente në oborrin e shtëpisë dhe në asnjë rast saldatriçja nuk ka dalë jashtë kësaj hapësire”, tha Uran Deliu. Më tej tha se një ditë rreth orës 02:00 të mëngjesit në fabrikë kishte rënë zjarr. Rojet e fabrikës kishin lajmëruar policinë e cila kishte ardhur në vendngjarje, por më pas kishte ikur pa marrë asnjë masë. Uran Deliu ishte një nga dy dëshmitarët e seancës së djeshme së bashku me Veiz Muçon, seancë e cila u ndërpre për shkak të braktisjes së saj nga avokatët. Seanca e radhës nga trupi gjykues u la ditën e premte më 5 shkurt, seancë e cila pritet të jetë shumë interesante pas zhvillimeve të djeshme.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›