Vendimet e Inspektoratit të Ndërtimit nuk ankimohen

Nuk arrin të vjelë gjobat, shkaku i ndryshimit ligjor
Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK), i cili varet nga Kryeministria, nuk është në gjendje të vjelë gjobat, për këtë shkak qeveria ndryshon ligjin, duke i shtuar atributet. Sipas ligjit të ri, çdo vendim i Inspektoratit të Ndërtimit përbën titull ekzekutiv, pavarësisht nëse biznesi e ka ankimuar në gjykatë apo jo. Aktualisht, INUK ka rreth 5 milionë dollarë gjoba të pavjela, për shkak se bizneset ndërtuese e kanë ankimuar vendimin në shkallë të ndryshme gjyqësori, duke zvarritur ekzekutimin. Projektligji ka mbërritur këto ditë në Kuvend dhe pritet të miratohet me ndryshimet e propozuara nga qeveria.
“Në rastin më të mirë, sot një gjykim i vendimit të INUK zgjat deri në tre vjet. Për të arritur këtë rezultat, na duhet të punësojmë vetëm ekspertë juristë duke lënë jashtë objektit detyrat organike të parashikuara në ligj”, pohon zyrtarisht qeveria, duke kërkuar që të gjitha vendimet e Inspektoratit Qendror të Ndërtimit të kenë titull ekzekutiv dhe të mos ankimohen nga askush, pavarësisht pretendimit.
“Në kushtet kur INUK-ja nuk ka mundësi të arkëtojë një gjobë, përveçse me mënyrën e zakonshme të njohur nga ligji, veprimet e saj për ndëshkimin e kundërvajtësit mbeten në fakt ushtrim përgjegjësish të një karakteri deklarativ dhe gjoba e humbet qëllimin e parashikuar. Nëse nuk ndryshohet ligji aktual, UNIK do të humbasë qëllimin e funksionimit”, thuhet në relacionin që shoqëron ligjin. Për këtë qëllim, qeveria propozon që të gjitha gjobat e nenit 15 (pikat 1-6), të jenë titull ekzekutiv, pra të mos ankimohen dhe të zbatohen direkt.
Debati
Neni 10, shtesa 1, përbën debatin kryesor në ndryshimin e projektligjit, pasi i jep INUK-së të tjera atribute, duke i rritur pozitën ligjore. Sipas variantit të ri, INUK përveç detyrave të tjera, ka të drejtë të ushtrojë, përjashtimisht, dhe përgjegjësitë e inspektoratit ndërtimor e urbanistik të bashkisë, komunës apo qarkut, që nuk përfshihen në zonat dhe objektet me rëndësi kombëtare, ose kur institucioni vendor nuk ka kapacitetet e duhura. Qeveria merr për bazë portet, apo zonat industriale, si Porto Romano etj. “Rritja e përgjegjësive të INUK nuk cenon pushtetin lokal, por synon të reduktojë rastet e ndërtimeve të kundërligjshme në territoret vendore”, sqaron Këshilli i Ministrave, i cili tani me ligj kontrollon çdo ndërtim në rang vendi. Ndryshimin në fjalë drejtuesit e pushtetit vendor e kanë kundërshtuar, pasi e gjykojnë si marrje kompetencash, por qeveria thotë se nuk do të dublojë asnjë inspektorat vendor, derisa të vërehen probleme serioze. Sipas ligjit që pritet të miratohet këtë javë nga Kuvendi, INUK do të kryejë kontrolle një herë në vit në mjediset e çdo objekti të kërkuar nga institucionet qendrore, por edhe lokale. Fjala është për objektet e dhëna me koncesion, të cilat do të jenë objekt kontrolli të vazhdueshëm, për të verifikuar ecurinë e punimeve dhe respektimin e ligjit.
#