Rama: Hapësirë e re argëtimi në Shkodër aty ku për 30 vjet ishte parkim i madh ndotjeje makinash

TIRANË, 15 shtator/ATSH/ Fëmijët e qytetit të Shkodrës do të kenë së shpejti Parkun Rekreativ “Dua të luaj”, një hapësirë çlodhëse dhe rekreative për aktivitete sportive.
Pas vendimit të Këshillit të Ministrave për transferimin në pronësi të Bashkisë Shkodër të pronës së njohur si “Ish-reparti ushtarak” në Bërdicë, ka nisur puna për kthimin e saj në një hapësirë publike.
Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se Shkodra po fiton një hapësirë të re jete, aty ku për 30 vite ishte një parkim i madh ndotjeje makinash.
“Aty ku për 30 vite ishte një parkim i madh ndotjeje makinash të mbetura si ‘prova’ nga proceset gjyqësore, sot Shkodra po fiton një hapësirë të re jete, me parkun ‘Dua të luaj’, një vend për fëmijët e familjet me mundësi argëtimi e rekreacioni për të gjitha moshat”, u shpreh Rama.
Kryeministri vlerësoi se kjo risi e bukur për Shkodrën vjen si rezultat i bashkëpunimit mes Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, Bashkisë Shkodër dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Kjo hapësirë e mbuluar nga mjete dhe tonelata hekurishte të lëna prej 30 vitesh, është çliruar plotësisht dhe po kthehet në funksion të publikut, me investimin e ri që pritet të nisë së shpejti.
I shtrirë në një sipërfaqe prej tre hektarësh, parku do të jenë në funksion të banorëve të Shkodrës me këndin e ri të lojërave, duke e kthyer këtë zonë në një hapësirë të dedikuar për fëmijët dhe prindërit.
/m.m/j.p/