VJENË – SHBA: Programi bërthamor i Iranit duhet “shkatërruar”

VJENË, 15 shtator /ATSH/– Programi i pasurimit të uraniumit të Iranit duhet të “shkatërrohet” plotësisht, deklaroi sot sekretari amerikan Energjisë, Chris Wright, në konferencën e përgjithshme vjetore të agjencisë bërthamore të OKB-së, sipas Reuters.
SHBA-ja dhe Izraeli bombarduan në qershor fabrikat e pasurimit të uraniumit të Iranit, duke argumentuar se Irani ishte shumë afër prodhimit të një arme bërthamore, edhe pse Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), e cila inspekton objektet bërthamore iraniane, tha se nuk kishte ndonjë tregues të besueshëm për një program të koordinuar arme bërthamore.
Megjithatë, IAEA- ja është shprehur e shqetësuar që Irani kishte grumbulluar rreth 440,9 kilogramë uranium të pasuruar deri në 60% , afër nivelit 90%, i cili konsiderohet si një mundësi për prodhim të armës bërthamore.
Sipas standardeve të IAEA-së, kjo sasi do të mjaftonte, nëse pasurohej më tej, për 10 bomba bërthamore.
“Rruga e Iranit drejt armëve bërthamore, përfshirë të gjitha kapacitetet e pasurimit të uraniumit dhe ripërpunimit të plutonit, duhet të çmontohet plotësisht”, tha Wright.
Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania, të njohura si “E3” kanë nisur një proces njëmujor për të rikthyer sanksionet ndaj Iranit – që ishin hequr me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, e cila u shpërbë pasi ish-presidenti amerikan Donald Trump tërhoqi SHBA-në nga Traktati në vitin 2018.
“E3” ka deklaruar se mund të ndalojnë përfundimin e këtij procesi nëse Irani lejon rifillimin e plotë të inspektimeve të IAEA-së, jep llogari për uraniumin e pasuruar dhe zhvillon bisedime direkte bërthamore me SHBA-në.
Javën e kaluar, Irani arriti një marrëveshje me IAEA-në për të hapur rrugën drejt rifillimit të inspektimeve.
Nuk është e qartë nëse progresi do të jetë i mjaftueshëm për të kënaqur evropianët.
Megjithatë, Teherani këmbëngul se është e drejta e tij për të pasuruar uranium, ashtu siç u lejohet të gjitha palëve të Traktatit për Mospërhapjen Bërthamore (NPT), për sa kohë që teknologjia përdoret vetëm për qëllime paqësore. /Ad.Ab./