E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Hapja e të gjithë kapitujve inkurajim, BE t’i qëndrojë marrëveshjes për mbylljen e negociatave brenda 2027

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria është e mirëpritur maksimalisht në “tempullin’’ e Evropës politike”, në Bruksel.

Përmes një videomesazhi, Rama informoi mbi punimet e samitit BE-Ballkani Perëndimor dje në Bruksel, të cilat i konsideroi inkurajuese dhe të suksesshme si për Shqipërinë edhe për Kosovën.

Sipas tij, Shqipëria është në kushtet siç nuk ka qenë ndonjëherë në raport me BE-në.

“Jemi të respektuar maksimalisht, të vlerësuar maksimalisht dhe të mirëpritur maksimalisht në ‘’tempullin’’ e Evropës politike, në Bruksel ku qëndrimi im ka qenë ai që dini dhe mënyra se si e kam mbajtur qëndrimin, ka qenë ajo që dini; troç, drejt, pa dorashka sepse siç e kam thënë dhe ua kam thënë miqve dhe kolegëve të BE, unë them atë që mendoj dhe bëj pastaj atë që thonë ata, në sensin që ne ‘’detyrat e shtëpis뒒 i bëjmë në mënyrë korrekte sepse e dimë shumë mirë që përmes atyre detyrave të shtëpisë do të jemi pjesë e BE”, shtoi Kryeministri.

Duke folur mbi qëndrimin e Shqipërisë në këto takime, Rama tha se “ne fjalën tonë e themi hapur, drejt në sy, pa asnjë kompleks, si të barabartë mes të barabartësh”.

Kjo, sipas Kreut të Qeverisë ia ka rritur vlerën vendit në këto tryeza.

Rama informoi se gjatë punimeve të samitit ka theksuar se hapja e të gjithë kapitujve është që një inkurajim, ndërsa ka ripërsëritur domosdoshmërinë që Komisioni Europian dhe Bashkimi Europian t’i qëndrojë marrëveshjes për të mbyllur negociatat brenda vitit 2027.

“Kam ripërsëritur tezën time se politikisht anëtarësimi ynë dhe i vendeve të tjera të Ballkanit duhet përshpejtuar. I kam garantuar se ne do të vazhdojmë reformat modernizuese, do të vazhdojmë përpjekjet në luftën kundër problemeve, që këta kanë shumë dëshirë dhe zakon t’i përmbledhin tek lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, por nuk është vetëm kaq, është shumë më tepër se kaq, shumë më komplekse se kaq”, u shpreh Rama.

Kryeministri vlerësoi po ashtu edhe progresin e Kosovës në drejtim të zhbllokimit të fondeve të bllokuara nga ana e BE-së prej disa kohësh.

“Për hir të së vërtetës, Presidentja e Kosovës ka shkëlqyer. Ka shkëlqyer dhe me fjalë bindëse, por edhe si rezultat i një pune këmbëngulëse dhe i një koordinimi të mirë që kemi bërë në javët e fundit, pa dashur këtu të marr asnjë meritë, ia ka që të zhbllokojë më në fund të gjitha ato fonde të bllokuara prej disa kohësh nga ana e BE-së”, u shpreh Rama. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›