E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Hetim zgjedhjeve, dialog për krizën

Lideri socialist, Edi Rama ka deklaruar se opozita nuk tërhiqet nga kërkesa e saj për hetim të zgjedhjeve. Gjatë një konference për shtyp, mbajtur më pak se një orë pas mbylljes së tryezës së dialogut Rama ka theksuar se kriza në vend ka ardhur si pasojë e deformimit të vullnetit të popullit para, gjatë e pas zgjedhjeve.
"Me zotin Berisha patëm një ballafqim të hapur për thelbin e problemit që nga ana ime jam i angazhuar ta zgjidh, por jo i predispozuar ta mbuloj. Ne nuk lëvizm nga parimi i transparencës së plotë e të pakushtëzuar për të çliruar zgjedhjet nga kthetrat e korrupsionit elektoral"- tha Rama.
Sipas tij, lënia e kutive të 28 qershor jashtë objektit të hetimit do ishte shkelje e patolerueshme, dorëzim i së drejtës kushtetuese për të nxjerrë në dritën e diellit të vërtetën e zgjedhjeve.
Ai ka sqaruar se gjithë kjo është një çështje vullneti politik dhe jo interpretim i të drejtave kushtetuese. "E sqarova Berishën se ne nuk kemi punë me vendimet gjykatave dhe as përpiqemi për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve. Ne duam autopsinë e zgjedhjeve të vdekura, që zgjedhjet e ardhshme mos të vdesin nga e njëjta sëmundje"- tha Rama.
Ai ka theksuar se nuk shkon në tryezë për pazar, e as për të mundur kundërshtarin por për ta ftuar atë të përmbushin detyrim para shqiptarëve, për të mundur korrupsionin elektoral.
"Unë nuk shkova për formalitet të quajtur dialog, por për të nxjerrë vendin nga kriza.
Nuk jam i gatshëm të pranoj zvarritjen e dialogut në pafundësi, pasi thellimi i krizës po bëhet i padurueshëm"- ka thënë prerë Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›