E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: I dorëzuam Drejtësisë “shpatën” që në Shqipëri e ka pasur gjithnjë pushteti politik

TIRANË, 11 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot hetimet e Prokurorisë Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), janë rezultat i përpjekjes së tij dhe skuadrës së PS-së.

Në komunikimin e drejtpërdrejt me qytetarët, përmes rubrikës “Sy m’sy”, në rrjetet sociale, kryeministri theksoi se Reforma në Drejtësi është bërë me vetëdije të plotë për të hapur rrugën e pastrimit të sistemit të drejtësisë nga një llum i madh, i mbledhur në fyt të kombit shqiptar, shtetit shqiptar.

Ai shtoi se ende ka llum.

Kryeministri Rama vuri në dukje se me këtë hap dorëzoi “shpatën e ndëshkimit” në duart e drejtësisë.

“Shpatën e ndëshkimit në Shqipëri e ka pasur historikisht pushteti politik, mbreti diktatori, këneta dhe e kanë përdorur për të ndëshkuar sipas oreksit të politikës. Me vullnet të plotë, unë luftova dhe ia dola ta dorëzojmë atë “shpatë“ në duart e drejtësisë”, theksoi ai.

Në momentin kur pushteti politik i dorëzon “shpatën” Drejtësisë, vijoi Rama, i hap rrugën një historie komplet të re, dhe vë edhe “qafën e vet” në dispozicion në rast se shpata kërkon “qafën e tij”, të pushtetit, për bëma të ndaluara.

Kryeministri nënvizoi se ende ka problem me cilësinë e Drejtësisë, duke qenë një institucion i ri.

“Ne kemi probleme me cilësinë e Drejtësisë, por janë probleme të rritjes”, tha Rama.

Sipas tij, hetimet nuk janë goditje, por konfirmojnë paanësinë.

“Patjetër ka shumë gjëra që nuk shkojnë, por ama këto hetime nuk duhet të ulin reputacionin tim, por konfirmojnë para të gjithëve sa i pangopur jam unë për të parë Shqipërinë lart dhe për të pasur këtu një vend të drejtë për qytetarët”, tha ai.

Kjo, tha ai, do kohën e vet. “Kjo nuk bëhet se bën të një parti dhe del atje e thua: hajde bëhemi bashkë ta pastrojmë. Jo! Bëhet kështu si po e bëjmë ne”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se nuk ka një vend në botë, që të ketë fituar imunitet të plotë ndaj tundimeve për të futur dorën aty ku nuk duhet.

Por shtoi ai, “shpata” e ndëshkimit dhe paanësia e Drejtësisë janë garantët.

“Kështu që partia në pushtet nuk jep llogari pse njëri apo tjetri vajtën e futën duart aty ku nuk duhet dhe prekën pasurinë e përbashkët, por për mënyrën si reagon”, theksoi kryeministri.

Ne, vuri në dukje ai, kemi bërë zgjedhjen tonë.

“Jemi në krahun e Drejtësisë nuk bëjmë avokatin e askujt. Kemi nisur një proces të ri ku do t’i paraqesim opinionet tona për cilësinë që “shpata” të kthehet në një forcë ndëshkimore, abuzive, që gjykata të funksionojë dhe jo të noterizojë çdo gjë që çon prokuroria dhe që prokurorët dhe gjykatësit të jenë të verbër, të drejtë”, tha Rama. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›