Rama: I dorëzuam “shpatën” drejtësisë, kulmi i vullnetit politik për të luftuar korrupsionin

TIRANË, 3 prill /ATSH/ Në rubrikën “Sy m’Sy” kryeministri Edi Rama iu përgjigj sot komentuesve në rrjetet sociale. Një nga komentuesit e pyeti kryeministrin Rama për luftën ndaj korrupsionit.
Kreu i qeverisë tha se korrupsioni në Shqipëri po luftohet siç nuk është luftuar herë tjetër. Rama e cilësoi reformën në drejtësi si risi historike në jetën shqiptare.
“Për herë të parë në Shqipëri po ndodh që njerëz të lidhur me pushtetin politik thirren nga prokurorë dhe gjykatës të pavarur nga pushtetit politik. Kush thotë që kjo nuk ka lidhje me Partinë Socialiste dhe mua nuk thotë të vërtetën. Jemi unë dhe Partia Socialiste që e kemi sjellë këtë risi historike në jetën shqiptare, risi historike. Që nga viti 1912 kur është ngritur flamuri i pavarësisë dhe kur është krijuar qeveria e parë dhe deri para pak vitesh në Shqipëri kurrë një person i lidhur me pushtetin politik nuk është hetuar dhe gjykuar nga një drejtësi në mënyrë të pavarur”, tha Rama.
“Janë pushkatuar, po, ministra me urdhër nga kjo zyrë. Kur në këtë zyrë gjendej “shpata”, shpata që duhet të rrijë gjithmonë në dorën e zonjës së drejtësisë, e kishte pushteti politik, ne e dorëzuam “shpatën”. Ky është kulmi i vullnetit politik për të luftuar korrupsionin, kush thotë të kundërtën e ka gabim”, tha Rama.
/r.e//a.f/