Linja direkte Tiranë – Nju-Jork, Rama: Procesi ka nisur

TIRANË, 3 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot gjatë përgjigjeve në rubrikën “Sy m’sy” se puna për vendosjen e linjës direkte të udhëtimit nga aeroporti i Tiranës drejt Nju-Jorkut tashmë ka nisur.
Ka qenë reagimi i një qytetari që i kujton Kryeministrit Rama premtimin për një linjë direkte avioni Tiranë – New York City.
Kryeministri në përgjigjen e tij, theksoi se nuk ka premtuar asnjëherë që do ketë një linjë të tillë brenda vitit 2025, por nënvizoi se “procesi i punës me Aviacionin Federal të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe me Aeroportin e Tiranës tashmë ka nisur, por është një proces që kërkon kohën e vet”.
“Unë nuk kam premtuar që do ta bëjmë brenda 2025-ës. Unë kam premtuar që do të fillojmë procesin dhe e kemi filluar procesin, por a do të realizohet që të ulet avioni i parë brenda vitit 2025, kjo do shihet. Unë shpresoj deri nga fundi i vitit, por është diçka që do ta shohim në proces”, pohoi Rama.
/r.e//a.f/