Rama: Institut Kombëtar për Tumoret në fund të mandatit qeverisës

TIRANË, 15 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, se ka nisur puna për ndërtimin e një institucioni të ekselencës kombëtare, në luftën kundër tumoreve.
Gjatë një dëgjese publike me qytetarët e njësisë Nr.3 në Tiranë, Rama u shpreh se në Itali, gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive u firmosën një sërë marrëveshjesh shumë të rëndësishme në aspektin ekonomik dhe financiar.
“Dhe një nga pikat që kemi në marrëveshjen kuadër që firmosa me kryeministren e Italisë është bashkëpunimi strategjik në funksion të shëndetit dhe kjo pikë i hap rrugë edhe partneritetit strategjik që kemi lançuar përpara, për të sjellë në QSUT si partnerë që do të marrin pjesë në gjithë procesin e administrimit dhe shkëmbimit të dijes dhe vizitave të punës së mjekëve në spitalin “San Raffaele” të Milanos”, tha Rama, teksa e cilësoi këtë spital si një ndër ekselencat e shëndetësisë evropiane.
Rama pohoi se me planin që ka qeveria, në fund të këtij mandati, QSUT do të jetë pikë referimi në të gjithë Ballkanin.
/e.i/j.p/